Një pilot amerikan i avionit luftarak F-15, i shpëtuar nga forcat speciale pasi avioni i tij u rrëzua mbi Iran në muajin prill, ka raportuar se pa një pamje të pazakontë pak çaste para se të katapultohej: disa dronë iranianë që qëndronin në ajër dhe lëviznin në mënyrë të koordinuar, duke formuar një strukturë që i ngjante një kandili deti.
Sipas katër burimeve të njohura me çështjen, piloti e ndau këtë dëshmi me zyrtarët e inteligjencës gjatë një seance raportimi pas incidentit. Pretendimi i tij shkaktoi menjëherë debat të gjerë brenda komunitetit amerikan të inteligjencës, debat që vazhdon ende.
Nëse ajo që piloti përshkroi është e saktë dhe dronët lëviznin si një sistem i vetëm i koordinuar, kjo do të përfaqësonte një avancim të rëndësishëm në aftësitë teknologjike të Iranit në fushën e dronëve.
Një nga burimet i tha CNN se piloti përshkroi disa dronë të lidhur mes tyre, të cilët lëviznin si një njësi e vetme, ndërsa dronë më të vegjël qëndronin poshtë atyre më të mëdhenj, duke krijuar pamjen e “këmbëve”.
Një tjetër burim tha se piloti foli për një “fushë të minuar me dronë” në ajër.
Ndërsa hetimet për rrëzimin e avionit F-15 vazhdojnë, raportet paraprake sugjeruan se formacioni i dronëve mund të ketë luajtur një rol në aftësinë e Iranit për të goditur avionin amerikan.
F-15 kishte në bord dy persona: pilotin dhe operatorin e sistemeve të armëve. Forcat amerikane nisën menjëherë operacionet e kërkim-shpëtimit.
Rrëzimi i F-15 shënoi herën e parë që një avion amerikan u rrëzua mbi territorin iranian gjatë konfliktit.
Piloti u shpëtua disa orë pas katapultimit, ndërsa operatori i sistemeve të armëve shmangu kapjen nga forcat iraniane për më shumë se një ditë duke u fshehur në zonat malore, përpara se të shpëtohej gjithashtu. Nuk dihet nëse edhe ai pa të njëjtin formacion dronësh.
Gjatë operacionit të shpëtimit u rrëzua edhe një avion tjetër amerikan, tip A-10, por piloti i tij arriti të katapultohej në mënyrë të sigurt jashtë hapësirës ajrore iraniane.
Zyrtarët amerikanë të inteligjencës mbeten të ndarë në interpretimin e dëshmisë së pilotit. Një faktor që ka ndikuar në vlerësimin e raportit është fakti se piloti pësoi tronditje cerebrale gjatë rrëzimit.
Sipas burimeve, kjo ishte hera e dytë që ai rrëzohej gjatë luftës me Iranin. Më herët, ai kishte qenë pjesë e një incidenti zjarri miqësor nga forcat kuvajtiane në fazat e para të konfliktit.
Analistët e inteligjencës kanë ngritur disa mundësi: nëse piloti ishte dëshmitar i një teknologjie të avancuar të panjohur më parë për SHBA-në, i një testi eksperimental, apo nëse perceptimi i tij ishte ndikuar nga kushtet e incidentit.
Burimet thanë se hetuesit e pyetën pilotin disa herë nëse ishte i sigurt për atë që kishte parë.
Forcat Ajrore amerikane ia referuan pyetjet Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), e cila nuk iu përgjigj drejtpërdrejt kërkesave të CNN. Edhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare nuk komentoi.
Çështja merr rëndësi të veçantë në një moment kur Uashingtoni dhe Teherani po zhvillojnë negociata për t’i dhënë fund konfliktit. Bisedimet, të cilat nisën pas armëpushimit të javës së kaluar, pritet të përqendrohen kryesisht te programi bërthamor iranian, megjithëse palët kanë ngritur edhe çështje të tjera.
Sipas dy burimeve të njohura me çështjen, aftësia e përshkruar nga piloti nuk ishte identifikuar më parë nga agjencitë amerikane të inteligjencës si pjesë e arsenalit teknologjik iranian. Megjithatë, ekzistojnë raportime se Irani ka marrë ndihmë nga Kina dhe Rusia për zhvillimin e teknologjisë së dronëve.
Ekspertët e përshkruajnë këtë teknologji si “rrjetëzim i ndërthurur një-me-shumë” (one-to-many meshed networking), një sistem që i lejon një operatori të kontrollojë njëkohësisht disa dronë.
Rusia dhe Kina besohet se zotërojnë aftësi të tilla. Çdo avancim i mëtejshëm në programin iranian të luftës me dronë do të konsiderohej shqetësues për SHBA-në dhe aleatët e saj në rajon.
Një zyrtar amerikan vuri në dukje se teknologjia e rrjetëzimit të ndërthurur mund të përdoret edhe për qëllime civile, si ofrimi i lidhjes së internetit në zona të largëta pa infrastrukturë ekzistuese.
Gjatë konfliktit që zgjati disa javë, Irani përdori në mënyrë intensive dronët sulmues si pjesë e strategjisë së tij ushtarake kundër forcave amerikane, izraelite dhe vendeve të Gjirit Persik.
Emma Bates, eksperte e luftës me dronë dhe modernizimit të mbrojtjes, tha për CNN se aftësi të tilla do të përbënin një sfidë serioze për mbrojtjen.
“Nëse një sistem i tillë mund të organizohet në forma të dallueshme, të ruajë strukturën gjatë fluturimit dhe të kryejë sulme të koordinuara, atëherë kemi të bëjmë me një qasje shumë të avancuar operacionale”, tha ajo.
Barcaleta disorientimi, ku eshgte piloti qe u shpetua!? Do thoni qe eshte klasifikuar personi, por mos harrojme qe Amerrikanet nxjerrin perhere, per show apo, e kane me gjithe mend te ekspozojne, pilote, gjenerale, kolonele e heronj te trupave Amerikane. Do te ishte mire te mbylleshin gojet liga qe njollosin integritetin e shtetit Amerikan.