
Ngjarja në Rumani është një sinjal alarmi për të gjithë Evropën...
Lufta në Ukrainë nuk është më thjesht një konflikt që zhvillohet në kufijtë lindorë të Evropës. Goditja e një pallati banimi në qytetin rumun Galați nga një dron i lëshuar gjatë sulmeve ruse kundër Ukrainës dhe deklaratat kërcënuese të ish-presidentit rus Dmitry Medvedev kanë rikthyer frikën se konflikti mund të kalojë kufijtë e Ukrainës dhe të përfshijë drejtpërdrejt vendet evropiane.
Për herë të parë që nga nisja e pushtimit rus në vitin 2022, dy qytetarë rumunë mbetën të plagosur pas një incidenti të lidhur me dronët rusë. Edhe pse Moska vijon të mohojë përgjegjësinë, duke pretenduar se nuk ka prova që mjeti fluturues ishte rus, fakti mbetet se sulmi ndodhi në territorin e një vendi anëtar të NATO-s. Kjo e bën incidentin shumë më tepër sesa një gabim teknik apo një devijim të rastësishëm të trajektores së një droni.
Në një deklaratë që tingëllon si kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve evropianë, ishte postimi i ish-peridentit rus, Dimitry Medvedev i cili tha se vendet e Bashkimit Evropian kanë hyrë tashmë në luftë kundër Rusisë përmes mbështetjes së tyre për Ukrainën. Ai paralajmëroi se "gjumi i qetë ka përfunduar" për ta.
“Qytetarë të vendeve të Bashkimit Evropian, duhet ta kuptoni se autoritetet tuaja kanë hyrë në mënyrë të njëanshme në luftë me Rusinë. Prandaj bëni kujdes dhe mos u habitni nga asgjë. Gjumi i qetë ka përfunduar. Por ju e dini kë duhet të pyesni për arsyen”, deklaroi Medvedev.
Në thelb, Medvedevi po paralajmëron se nëse Perëndimi vazhdon të mbështesë Kievin, atëherë edhe qytetarët evropianë duhet të mësohen me mundësinë e incidenteve, sulmeve dhe pasigurisë.
Kjo është pikërisht arsyeja pse ngjarja në Rumani po shihet me alarm në kryeqytetet evropiane. Nëse deri dje rreziku perceptohej si i kufizuar në territorin ukrainas, sot dronët dhe raketat po afrohen gjithnjë e më shumë me kufijtë e NATO-s. Një gabim, një keqllogaritje apo një sulm i qëllimshëm mund të shkaktojë një krizë shumë më të madhe sesa ajo që Evropa ka përjetuar deri tani.
Reagimi i Bukureshtit ishte i menjëhershëm. Dy avionë F-16 u ngritën në ajër sapo u identifikuan objektet fluturuese, ndërsa qeveria rumune informoi NATO-n dhe kërkoi përshpejtimin e furnizimit me sisteme kundër dronëve. Edhe Aleanca Atlantike dënoi ashpër incidentin, duke e cilësuar si një tjetër shembull të papërgjegjshmërisë ruse.
Megjithatë, shqetësimi më i madh nuk lidhet vetëm me sulmin e fundit. Sipas autoriteteve rumune, që nga fillimi i luftës janë regjistruar 47 raste të fragmenteve të dronëve rusë në territorin e vendit, 12 prej tyre vetëm gjatë këtij viti. Kjo tregon se incidentet po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe se kufiri mes luftës në Ukrainë dhe sigurisë evropiane po bëhet më i brishtë.
Në qendër të këtyre sulmeve qëndrojnë dronët e tipit Shahed, ose Geran-2 sipas emërtimit rus. Të prodhuar fillimisht sipas modelit iranian Shahed-136 dhe më pas të montuar në fabrikat ruse, këta dronë janë shndërruar në armën më të përdorur nga Moska. Me një rreze veprimi deri në 2 mijë kilometra dhe me kapacitet për të transportuar dhjetëra kilogramë eksplozivë, ata janë të lirë, të shumtë dhe të vështirë për t’u neutralizuar në sulme masive.
Pikërisht ky kombinim i kostos së ulët dhe efektivitetit të lartë po ndryshon natyrën e luftës. Rusia mund të lëshojë qindra dronë brenda një nate, duke ushtruar presion të vazhdueshëm mbi mbrojtjen ajrore ukrainase dhe duke rritur rrezikun që disa prej tyre të devijojnë ose të përfundojnë në territorin e vendeve fqinje.
Ngjarja në Rumani është një sinjal alarmi për të gjithë Evropën. Pavarësisht se askush nuk dëshiron një përballje të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe NATO-s, realiteti në terren po tregon se kufijtë e konfliktit po bëhen gjithnjë e më të paqartë. Dhe kur një dron godet një pallat në territorin e një vendi të Aleancës, ndërsa një nga figurat më të larta të Kremlinit paralajmëron se “gjumi i qetë ka përfunduar”, pyetja nuk është më nëse lufta mund të prekë Evropën, por sa e përgatitur është Evropa nëse kjo ndodh.
Ky pinxhua i Rusise sipas biografise se tij ka pas qene zhuls e mistress femije nga ata që thyenin xhamat e teto sotirices me gure. Edhe karrieres se spiunit i hyri te merrte hak ndaj atyre që ia fusnin me shqelma bytheve. E cuditeshme se si njeriu ne pergjithesi nuk ndryshon e mbetet sic ka qene femije. Besoj të gjithë i mbajne mend ish muterit e feminise, që sic ishin ashtu mbeten ne jete.