TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Qershor 2026, 17:31

Gustavo Petro ndez debatin me Melonin: Ose Musolini ose brigadat e Garibaldit!

Shkruar nga Pamfleti
Gustavo Petro ndez debatin me Melonin: Ose Musolini ose brigadat e Garibaldit!
Gustavo Petro dhe Giorgia Meloni

Presidenti i Kolumbisë kritikoi kryeministren italiane për bisedën me Abelardo de la Espriella, favorit në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale...

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, reagoi ashpër ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni pas një bisede telefonike që ajo zhvilloi me Abelardo de la Espriella, kandidatin konservator që doli i pari në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Kolumbi.

Në një postim në rrjetet sociale, Petro iu drejtua Melonit me tone të forta politike, duke bërë krahasime historike mes Benito Musolinit dhe Giuseppe Garibaldit.

“Meloni, po ta them nga Kolumbia: ose Musolini ose brigadat e Giuseppe Garibaldit. Ne jemi këmishëkuqtë e Garibaldit”, shkroi Petro.

Në të njëjtin reagim ai përmendi edhe Adolf Hitlerin dhe Joseph Goebbelsin, duke deklaruar se prioritet i vendit duhet të jetë zbatimi i reformave sociale të parashikuara në Kushtetutën e vitit 1991.

Debati shpërtheu pasi De la Espriella njoftoi për bisedën me Melonin, gjatë së cilës, sipas tij, u diskutua për forcimin e bashkëpunimit mes Italisë dhe Kolumbisë në fushat e tregtisë, sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar.

Kandidati konservator, i cili zotëron edhe shtetësi italiane, falënderoi Melonin dhe e cilësoi atë si “simbol të lidershipit dhe vendosmërisë”.

Ai theksoi se ndan me kryeministren italiane vlerat që, sipas tij, kanë formësuar qytetërimin perëndimor, përfshirë lirinë, dinjitetin njerëzor, familjen, respektin për ligjin dhe traditën judeo-kristiane.

“Jam i bindur se kombet tona mund të punojnë së bashku për të krijuar mirëqenie, për të mbrojtur qytetarët e tyre dhe për të forcuar vlerat e demokracisë dhe lirisë”, shkroi De la Espriella në platformën X.

Në debat ndërhyri edhe eurodeputeti italian Carlo Fidanza, kreu i delegacionit të partisë Fratelli d’Italia në Parlamentin Evropian. Ai deklaroi se Petro duhet të pranojë ndryshimet politike që po ndodhin në Amerikën Latine dhe shprehu shpresën që kolumbianët të zgjedhin, sipas tij, “lirinë nga komunizmi”.

Më 21 qershor, Abelardo de la Espriella do të përballet në balotazh me senatorin progresist Ivan Cepeda në garën për presidencën e Kolumbisë.

gustavo petro dhe giorgia meloni

1 Komente

  1. T
    Tony

    Mire i paska thene i varferi, me troc nuk ka. E majta Garibaldi versur Musolini e djathta. Me mire te burgoset ose ekzekutohen disa qindra ose mijera vete, apo te zhduken disa miliona njerez. Zgjidh e merr o popull.

    Lini një Përgjigje