Kontrabandisti konfirmoi se drejtuesit e jahtit do të ishin shqiptarë dhe premtoi se në bord nuk do të kishte më shumë se 10 pasagjerë. Sipas tij, jahti kishte “tre dhoma luksoze”.
Një investigim i gazetës britanike The Sun ka zbuluar një skemë të trafikut të emigrantëve shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku përdoren superjahte luksoze për të kaluar Kanalin Anglez. Në pamje të parë, mjetet lundruese të japin përshtypjen e pushimeve ekskluzive të milionerëve, por sipas investigimit, ato shërbejnë për transportimin e paligjshëm të emigrantëve, duke shmangur kontrollet më të rrepta që ushtrohen ndaj gomoneve.
Gazeta britanike raporton se pas kësaj skeme qëndron një grup me lidhje britaniko-shqiptare. Sipas raportimit, disa prej personave të përfshirë kanë vuajtur më parë dënime në Britani dhe më pas janë deportuar.
Përdorimi i jahteve u lejon trafikantëve të shmangin dyshimet që ngjallin gomonet, të cilat monitorohen vazhdimisht në Kanalin Anglez. Gjithashtu, ankorimi në marina më të vogla mund të reduktojë kontrollet krahasuar me portet kryesore.
Ky zbulim vjen vetëm pak javë pasi The Sun publikoi një tjetër investigim, ku pretendohej se mijëra emigrantë të dëbuar nga Britania kishin arritur të riktheheshin në mënyrë të paligjshme në vend.
Në kuadër të hetimit, një gazetar i infiltruar iu përgjigj një reklame të publikuar në TikTok, ku ofrohej transport me jaht drejt Britanisë. Ai u prezantua si një shtetas shqiptar që kishte vuajtur një dënim në burgun Wandsworth në Londër dhe ishte deportuar më pas.
Pasi trafikantët u bindën për identitetin e tij, komunikimi vijoi në WhatsApp përmes një numri britanik. Sipas gazetës, organizatorët i kërkuan 15,500 paund për një vend në një jaht që do të nisej nga Holanda dhe do të mbërrinte pranë Doverit.
Burri në telefon tha:“Kam një vend të lirë në varkë sot. Është një jaht i madh, luksoz. Pranojmë vetëm para në dorë.”
Duke propozuar një takim, ai shtoi: “Paratë i pranojmë vetëm në Shqipëri.”
Ne kërkuam ta shihnim në një video-telefonatë përpara se të pranonim marrëveshjen, por pasi ra dakord, ai vetëm përshëndeti shkurt me dorë dhe më pas ia kaloi telefonin një anëtari tjetër të bandës, i cili premtoi një “udhëtim të qetë dhe të sigurt”.
Ky person i tha gazetarit të The Sun se edhe ai vetë kishte qenë i dënuar më parë dhe ishte deportuar pasi kishte vuajtur 1 vit e 10 muaj burg në Doncaster, për shitje kokaine.
Ai tha: “Kam katër persona në të njëjtën situatë si ti, që do të jenë në këtë udhëtim pas pak ditësh. Mos u shqetëso për këtë. Kemi shpenzuar 50 mijë euro për të marrë me qira një jaht për këtë punë.”
Kontrabandisti konfirmoi se drejtuesit e jahtit do të ishin shqiptarë dhe premtoi se në bord nuk do të kishte më shumë se 10 pasagjerë. Sipas tij, jahti kishte “tre dhoma luksoze”.
Kur u pyet nëse kishte dërguar njerëz në Britani kohët e fundit, ai u përgjigj: “Para dhjetë ditësh dërguam me sukses 11 djem. Po të dërgoj mesazhe nga katër djem që kanë qenë në burg në Mbretërinë e Bashkuar.”
Më pas ai dërgoi një pamje nga WhatsApp ku shpjegohej se tre nga katër emigrantët “kishin probleme në Britani” dhe “kishin frikë se mos deportoheshin sërish”.
Shqetësues ishte edhe fakti që ai tha se një anëtar i familjes së gazetarit duhej ta takonte në një kafene dhe t’i dorëzonte shumën e parave, përpara se atij t’i lejohej të hipte në jaht. Banda tha se shoferë do t’i merrnin nga një port pranë Doverit dhe më pas do t’i çonin në Londër.
Ai shtoi: “Mos ki frikë, në rregull?”
Muajin e kaluar, The Sun zbuloi se 4,614 persona janë rikthyer në Britani gjatë pesë viteve të fundit pasi ishin deportuar. Të paktën 723 persona ishin dëbuar dy ose më shumë herë, ndërsa Ministria e Brendshme britanike ka pranuar se shifrat mund të jenë edhe më të larta, pasi jo të gjithë mund të identifikohen përmes kontrolleve të mëparshme të identitetit.
Shqiptarët përbënin më shumë se një të tretën e të gjitha rasteve, me 1,525 persona të gjetur sërish në Britani pasi ishin detyruar të largoheshin.

Zia Yusuf, zëdhënësi i Reform UK për çështjet e brendshme, tha dje për The Sun se ky rast është një shembull i qartë se pse Britania është kthyer në një “objekt talljeje kombëtare” për mënyrën se si menaxhon emigracionin.
Ai tha: “Ndërsa publiku britanik lufton për të përballuar miliardat e paundëve që shpenzohen për emigracionin e paligjshëm, trafikantët e qenieve njerëzore na tallin duke ekspozuar pasurinë e tyre para syve tanë. Konservatorët e kthyen Britaninë në një derë rrotulluese për emigracionin e paligjshëm, ndërsa Laburistët refuzojnë ta zgjidhin problemin. Asnjë shtet që respekton veten nuk dështon në kontrollin e kufijve në një masë të tillë. Reform UK do të ndalonte dhe deportonte çdo emigrant të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të siguronte që ata të mbeteshin të deportuar.”
Por banda që kontaktuam në TikTok është larg të qenit e vetmja që zhvillon këtë aktivitet hapur, pasi jahtet po përdoren gjithnjë e më shumë për të futur emigrantë në Britani.
Pesë persona u arrestuan në maj, pasi një jaht që transportonte shtatë persona drejt Mbretërisë së Bashkuar u ndalua në brigjet jugore të Anglisë.
Dy anëtarë të ekuipazhit, një britanik 42-vjeçar dhe një shqiptar 25-vjeçar, u arrestuan nën dyshimin për lehtësim të emigracionit të paligjshëm. Tre persona të tjerë u morën në pyetje, pasi dyshoheshin se do të prisnin pasagjerët në breg. Ndërsa në mars, dy shtetas ukrainas u dënuan me burg për ofrimin e një shërbimi premium të kontrabandimit të emigrantëve me jaht.
Vladyslav Cherniavskyi, 38 vjeç, dhe Oleksandr Yavtushenko, 43 vjeç, kishin marrë 13 mijë paund nga secili prej pesë shqiptarëve dhe një vajze të re vietnameze për udhëtimin, por u ndaluan katër milje larg Chichester, në Ëest Sussex, në korrik të vitit të kaluar. Cherniavskyi, pronari i jahtit, dhe Yavtushenko, kapiteni i tij, u dënuan respektivisht me pesë dhe gjashtë vite burg.
The Sun ia raportoi gjetjet TikTok-ut, i cili brenda një ore e hoqi llogarinë. Platforma tha se ajo shkelte udhëzimet e komunitetit në lidhje me trafikimin e qenieve njerëzore. Ndërkohë, statistikat zyrtare tregojnë se më shumë se 11 mijë emigrantë kanë kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla këtë vit, ndërsa moti i ngrohtë mund të sjellë një rritje të mëtejshme për shkak të ujërave më të qeta.
Shqiptarët përbëjnë më shumë se një të tretën e rasteve të rikthimit në Mbretërinë e Bashkuar (1,525), të ndjekur nga rumunët (767), afganët (281), lituanezët (233) dhe irakianët (150).
Shifrat më të fundit tregojnë gjithashtu se 1,099 nga 53 mijë shtetasit shqiptarë që jetojnë në Britani pa shtetësi britanike kanë përfunduar në burg, ndërsa shumë prej tyre i drejtohen kriminalitetit për të financuar stilin e tyre të jetesës.
Shqipëria ka aq shumë të rinj që jetojnë në Britani, saqë një qytet është pothuajse pa meshkuj të rinj.
Hasi, rreth tre orë larg me makinë nga Tirana, ka lidhje aq të ngushta me Mbretërinë e Bashkuar, saqë shpalli një ditë zie kur Mbretëresha Elizabeth II ndërroi jetë në vitin 2022. Kryetari i bashkisë kishte vendosur edhe një fotografi të Madhërisë së Saj në zyrën e tij.
The Sun raportoi gjithashtu se familjet në fshatin e vogël Golaj, në veri të Shqipërisë, kursejnë dhe bashkojnë paratë për të dërguar të rinjtë me varka drejt Britanisë. Po ashtu zbuluam se dy vëllezër bosë droge, të cilët drejtonin një operacion të madh trafiku droge nga një shtëpi në veri të Londrës, fituan aq shumë para sa ndërtuan një atraksion turistik, Solis Farm, shumë të vizituar në Shqipëri.
Dy personat pas këtij investimi ishin Hajdar Çopja, 40 vjeç, dhe vëllai i tij Franc Çopja, 33 vjeç, të cilët drejtonin një perandori ndërkombëtare droge nga një shtëpi me tarracë në Tottenham.
Franci e kalonte ditën në telefon duke kontaktuar trafikantë droge në Amerikën e Jugut dhe më pas organizonte pagesat për doganierë dhe punonjës portesh të korruptuar, të cilët ndihmonin në kontrabandimin e drogës me vlerë miliona paund drejt Britanisë, shumica e fshehur në rimorkio.
Një nga kartelët më famëkeqe shqiptare është Hellbanianz, një grup trafikantësh droge me bazë në kompleksin Gascoigne Estate, në Barking, në lindje të Londrës. Ata nuk kanë ngurruar të ekspozojnë jetën e tyre luksoze me makina të shtrenjta, veshje firmato dhe armë në duar. Madje realizuan edhe një videoklip muzikor me titull "Poppin Smoke", ku shfaqeshin duke drejtuar mjete ushtarake të pajisura me mitralozë të rëndë nëpër kompleksin e banimit.
Ndërsa bandat shqiptare vazhdojnë të mbajnë një kontroll të fortë mbi një pjesë të madhe të tregut të kokainës në Britani, besohet se drejtuesit e tyre janë zhvendosur në Dubai, ku janë shfaqur në rrjetet sociale duke lëvizur me automjete Rolls-Royce. Është një jetë që shumica e shqiptarëve vetëm mund ta ëndërrojnë, dhe duket se shumë prej tyre tani po përpiqen ta nisin atë me stil, duke mbërritur në Britani me jaht./ Përshtatur nga "The Sun"
Lini një Përgjigje