TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Qershor 2026, 12:10

I lanë të flinin në makinë në mes të vapës, humbin jetën dy fëmijë në Qipro, arrestohen babai dhe njerka

Shkruar nga Pamfleti
I lanë të flinin në makinë në mes të vapës,
Foto Ilustruese

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Qipron, ku dy fëmijë të moshës 8 dhe 10 vjeç u gjetën pa shenja jete brenda një automjeti të mbyllur. Dyshohet se ata ishin lënë të flinin në makinë, ndërsa temperaturat e larta kanë rezultuar fatale.

Sipas mediave vendase, viktimat ishin dy vëllezër me origjinë bullgare8 dhe 10 vjeç, pjesëtarë të së njëjtës familje. Ata u zbuluan brenda një makine të parkuar në bazën ushtarake britanike të Dhekelias.

Policia e bazës dhe ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, por nuk mundën t'u shpëtonin jetën fëmijëve.

Pas ngjarjes, babai i tyre dhe njerka u arrestuan nën dyshimin për neglizhencë. Autoritetet britanike kanë konfirmuar se hetimet po zhvillohen në lidhje me një banesë në Xylophagou, në distriktin e Famagustës, për të zbardhur plotësisht rrethanat e tragjedisë.

Sipas dyshimeve paraprake, fëmijëve u ishte kërkuar të flinin në automjet, ku humbën jetën si pasojë e temperaturave ekstreme dhe mungesës së ajrit. Shkaku zyrtar i vdekjes do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të autopsisë.

Gazeta Cyprus Mail raportoi se në trupat e dy fëmijëve ishin konstatuar shenja djegiesh të shkaktuara nga nxehtësia. Ndërkohë, media të tjera lokale bëjnë të ditur se automjeti ishte i mbyllur dhe i parkuar pranë një fushe, afër një zone të banuar, shkruan Daily Mail.

Tragjedia në Qipro vjen në një kohë kur Evropa po përballet me një valë të fortë të nxehti, e cila ka shkaktuar viktima edhe në vende të tjera.

Në Francë, deri të premten, katër fëmijë kishin humbur jetën për shkak të temperaturave rekord. Mes tyre ishte një foshnjë 18-muajshe, e gjetur pa shenja jete në një makinë pasi prindi dyshohet se e kishte harruar gjatë rrugës për në punë.

Po ashtu, një djalë trevjeçar u gjet i pajetë në një automjet në periferinë e Parisit, ku temperaturat kaluan 40 gradë Celsius. Ndërsa në jug të Francës, dy vëllezër të moshës katër dhe dy vjeç humbën jetën pasi pësuan arrest kardiak në një makinë të parkuar jashtë banesës së gjyshes së tyre.

Autoritetet franceze kanë bërë të ditur se vala e të nxehtit ka shkaktuar rreth 1.000 vdekje shtesë, kryesisht te personat mbi 65 vjeç dhe ata me probleme shëndetësore. Spitalet në Francë dhe Britani raportojnë një rritje të ndjeshme të rasteve emergjente dhe shtrimeve, ndërsa kapacitetet spitalore po i afrohen kufirit të mbingarkesës. 

tragjedi ne qipro

Lini një Përgjigje