Lideri i Hezbollahut, Naim Qassem, ka hedhur poshtë marrëveshjen kornizë të nënshkruar mes Izraelit, Libanit dhe Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe në kundërshtim me interesat e Libanit.
Qassem deklaroi sot se marrëveshja e firmosur në Uashington është "e pavlefshme", përbën "një poshtërim" dhe përfaqëson dorëzimin e sovranitetit kombëtar. Sipas tij, ajo duhet të zëvendësohet nga memorandumi i arritur mes Iranit dhe SHBA-së.
Lideri i Hezbollahut paralajmëroi gjithashtu se organizata nuk do të pranojë që tërheqja e forcave izraelite nga Libani jugor të kushtëzohet me çarmatimin e saj.
"Çdo përpjekje për të lidhur tërheqjen e Izraelit nga Libani jugor me çarmatimin e organizatës shkel vijat e kuqe", u shpreh ai.
Qassem u drejtua edhe autoriteteve libaneze me një mesazh të ashpër: "U themi autoriteteve libaneze se është koha që ju të hiqni dorë nga mëkatet tuaja që po shkatërrojnë Libanin".
Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi SHBA-ja, Izraeli dhe Libani nënshkruan në Uashington një marrëveshje kornizë trepalëshe, e cila synon dobësimin e Hezbollahut pas disa ditësh negociatash të ndërmjetësuara nga administrata amerikane.
Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, marrëveshja parashikon një proces të strukturuar për çarmatimin e Hezbollahut, çmontimin e infrastrukturës së tij ushtarake dhe krijimin e kushteve për tërheqjen e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nga Libani, pasi të eliminohet kërcënimi që, sipas marrëveshjes, paraqet organizata.
Dokumenti parashikon gjithashtu rritjen e mbështetjes amerikane për Forcat e Armatosura Libaneze, me synim forcimin e kapaciteteve të tyre dhe mbështetjen e operacioneve kundër Hezbollahut.
Lini një Përgjigje