Epopeja e Homerit u përshtat për ekranin e madh me ndryshime të rëndësishme në personazhe, skena dhe rrëfim. Regjisori zgjodhi të përqendrohej te udhëtimi psikologjik i Odiseut, duke lënë jashtë disa nga episodet më të njohura të poemës.
Shndërrimi i një poeme prej rreth 12 mijë vargjesh, e cila kërkon një ditë të tërë për t'u lexuar me zë të lartë, në një film treorësh ishte që në fillim një sfidë që kërkonte shkurtime të shumta. Pikërisht këtë bëri Christopher Nolan me "Odisean", duke lënë jashtë një sërë skenash dhe personazhesh të rëndësishëm të eposit homerik, ndërsa shtoi edhe elemente të reja që nuk gjenden në tekstin origjinal.
Çfarë la jashtë Nolan
Zotat
"Odisea" e Homerit nis me një bisedë mes Zeusit dhe Athinasë në Olimp. Me miratimin e Zeusit, Athinaja luan një rol vendimtar në kthimin e Odiseut në Itakë, ndihmon në shkatërrimin e pretendentëve të Penelopës dhe mbështet Telemakun duke marrë forma të ndryshme.
Ndërkohë, Poseidoni pengon vazhdimisht udhëtimin e Odiseut, ndërsa Hermesi ndërhyn në dy momente kyçe të rrëfimit.
Në filmin e Nolanit shfaqet vetëm Athinaja, e interpretuar nga Zendaya. Ajo paraqitet si një vegim që e sheh vetëm Odiseu, i luajtur nga Matt Damon, dhe më shumë përfaqëson ndërgjegjen e tij sesa një hyjni të mirëfilltë.
Nausikaa dhe Feakët
Një nga episodet më të njohura të poemës është takimi i Odiseut me princeshën Nausikaa, pasi ai përfundon në brigjet e ishullit të Feakëve.
Pas këtij episodi, Odiseu rrëfen aventurat e tij me Ciklopin, Kirken, Skilën dhe Karibdën, përpara se Feakët ta ndihmojnë të kthehet në Itakë.
Nolan e ka hequr tërësisht këtë pjesë. Në vend të saj, Odiseu ua rrëfen këto ngjarje Kalipsos, të interpretuar nga Charlize Theron, si kujtime që rikthehen gradualisht.
Fantazmat e munguar
Filmi paraqet takimin e Odiseut me Agamemnonin në botën e të vdekurve, por lë jashtë disa figura të rëndësishme të poemës.
Nuk shfaqet Akili, luftëtari më i madh grek, as Ajaksi, i cili refuzon të pajtohet me Odiseun. Gjithashtu mungon nëna e Odiseut, të cilën ai përpiqet tri herë ta përqafojë pa mundur ta prekë.
Një tjetër personazh që mungon është Elpenori, shoku fatkeq i Odiseut që vdes pas një rrëzimi dhe i lutet të varroset siç duhet. Në film, roli i tij zëvendësohet nga Sinon, i interpretuar nga Elliot Page.
Ekzekutimi i skllaveve
Nolan shmang një nga skenat më të ashpra të poemës, ku dymbëdhjetë skllave që kishin tradhtuar pallatin dhe kishin pasur marrëdhënie me pretendentët varen me urdhër të Telemakut.
Megjithatë, regjisori krijon një variant të kësaj ngjarjeje: Melantha, e interpretuar nga Mia Goth, shtyhet drejt masakrës nga vetë Penelopa, duke u dënuar praktikisht me vdekje.
Po ashtu mungon ndëshkimi brutal i bariut Melanth, të cilit në poemë i priten hunda, veshët, duart, këmbët dhe organet gjenitale.
Prova e shtratit të Penelopës
Në poemë, Penelopa nuk bindet menjëherë se lypësi është bashkëshorti i saj. Ajo e vë në provë duke i kërkuar të përshkruajë shtratin e tyre martesor, të ndërtuar nga vetë Odiseu mbi trungun e një ulliri.
Vetëm ai dhe Penelopa e dinë këtë sekret.
Nolan e zëvendëson këtë episod me një statujë të Athinasë, të cilën Odiseu ia tregon Penelopës si provë të identitetit të tij.
Çfarë shtoi Nolan
Kali i Trojës
Edhe pse Homeri nuk e rrëfen të plotë historinë e Kalit të Trojës në "Odise", ai e përmend disa herë.
Nolan vendosi ta përfshijë këtë episod, duke qenë se ideja e përdorimit të kalit lidhet tradicionalisht me zgjuarsinë e Odiseut dhe me rënien e Trojës.
Sinon
Personazhi i Sinonit, i interpretuar nga Elliot Page, nuk ekziston te Homeri.
Ai është marrë nga "Eneida" e Virgjilit, ku mashtron trojanët që ta fusin kalin prej druri brenda qytetit.
Nolan i ndërton gjithashtu një histori të re këtij personazhi, duke e vendosur në ushtrinë greke.
Popujt e detit
Në film përmenden vazhdimisht "njerëzit e detit", të cilët paraqiten si një kërcënim për botën greke.
Një element i tillë nuk ekziston te Homeri.
Po ashtu, Odiseu në film thotë se Lufta e Trojës u zhvillua në të vërtetë për kontrollin e rrugëve tregtare, një interpretim modern që mbështetet më shumë te historianët sesa te eposi homerik.
Çfarë ndryshoi Nolan
Kalipso
Në film, Kalipso përdor lule lotusi për t'i fshirë kujtesën Odiseut, por më pas e lë të vazhdojë udhëtimin.
Në poemë, ajo nuk përdor asnjë substancë. Marrëdhënia e tyre është kryesisht erotike dhe Kalipso e mban Odiseun pranë saj derisa Hermesi i sjell urdhrin e Zeusit për ta liruar.
Ciklopi
Në filmin e Nolanit, Ciklopi flet shumë pak, ndërsa te Homeri zhvillon një dialog të gjatë me Odiseun.
Si pasojë, mungojnë dy momente ikonike të poemës: mashtrimi kur Odiseu prezantohet si "Askushi", që pengon Ciklopët e tjerë ta ndihmojnë Polifemin, dhe çasti kur ai zbulon identitetin e tij të vërtetë, duke i dhënë mundësi Polifemit t'i kërkojë Poseidonit ta mallkojë.
Këto ndryshime përputhen me zgjedhjen e Nolanit për ta paraqitur Odiseun më pak si një hero të zgjuarsisë dhe më shumë si një njeri të traumatizuar nga lufta.
Lini një Përgjigje