Moti i keq, cili "tregoi" dhëmbët mëngjesin e së shtunës, ka "përfshirë" Shtetet e Bashkuara , duke sjellë temperatura jashtëzakonisht të ftohta dhe reshje dëbore që shumë qytete nuk i kanë parë prej më shumë se një shekulli.
Më shumë se 220 milionë njerëz pritet të preken nga kalimi i stuhisë, e cila pritet të përfundojë pas fundjavës.
Të paktën 18 shtete kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, përfshirë Teksasin, Luizianën, Misisipin, Alabamën, Xhorxhian, Karolinën e Jugut dhe Karolinën e Veriut. Shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme janë bërë gjithashtu në Misuri, Tenesi, Virxhinia, Merilend dhe Pensilvani.
Tre të vdekur
Tre persona u gjetën të vdekur në rrugët e New York City për shkak të temperaturave të ulëta. Sipas Policisë, një burrë 67-vjeçar u gjet në një trotuar në Manhattan këtë mëngjes, ndërsa dy trupa të tjerë, një burrë 30-vjeçar dhe një grua 60-vjeçare, u gjetën veçmas në Brooklyn rreth 2 orë pas raportimeve të para.
Më shumë se 13,000 fluturime u anuluan për shkak të stuhisë dimërore. Shumë nga anulimet përfshinin fluturime për në dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dallasit/Fort Worth , me gati 1,500 fluturime të anuluara, dhe Love Field, me 190 anulime, duke përfaqësuar pjesën më të madhe të orarit të fluturimeve në secilin aeroport.
Më shumë se 135,000 shtëpi mbetën pa energji elektrike në të gjithë vendin, me shumicën e ndërprerjeve të raportuara që nga pasditja e së shtunës në shtetet jugore si Teksasi, Luiziana dhe Meksika e Re.
Transporti publik vazhdon të jetë i ndërprerë për shkak të motit të keq. Shërbimet e autobusëve , trenave të lehtë dhe Access Link të New Jersey Transit do të pezullohen përkohësisht duke filluar nga mëngjesi i hershëm i së dielës.
Capital Metro në Austin të Teksasit pezulloi të gjitha shërbimet në qytet që nga ora 16:00 e së shtunës, ndërsa mijëra ushtarë të Gardës Kombëtare nga 12 shtete janë vënë në gatishmëri për t'u përballur me motin e keq, sipas kreut të shërbimit, gjeneralit Steven Nordhaus.
Lini një Përgjigje