
Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë Evropën po shkakton pasoja gjithnjë e më të rënda, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se temperaturat rekord kanë lidhje me mbi 1.300 vdekje shtesë që nga 21 qershori.
Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se Evropa po përjeton një situatë alarmante, pasi është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë.
"Mbi 1.300 vdekje shtesë janë regjistruar që nga 21 qershori dhe lidhen me temperaturat e larta në Evropë", u shpreh ai.
Ai theksoi se rreth 150 milionë njerëz jetojnë aktualisht nën ndikimin e vapës ekstreme, ndërsa qindra persona kanë humbur jetën, shkollat janë mbyllur dhe rrjetet energjetike po përballen me mbingarkesë.
"Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me ritëm dy herë më të lartë se mesatarja globale. Aktualisht, 150 milionë njerëz jetojnë nën ndikimin e vapës ekstreme, qindra kanë humbur jetën, shkollat janë mbyllur dhe rrjetet energjetike po mbingarkohen", shtoi kreu i OBSH.
Fundjava e kaluar solli temperatura rekord në disa vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, Poloninë dhe Çekinë, ku termometri arriti dhe në disa zona kaloi 40 gradë Celsius.
Në Çeki, autoritetet u kërkuan qytetarëve të shmangin aktivitetet fizike dhe lëshuan paralajmërime për ndotje të lartë të ajrit për shkak të rritjes së nivelit të ozonit. Në Gjermani u kufizua qarkullimi i trenave në disa linja kryesore, ndërsa në Lajpcig u pezullua lëvizja e tramvajeve. Në Berlin, policia përdori topa uji për të freskuar qytetarët, ndërsa shumë banorë zgjodhën të mos dilnin nga shtëpitë deri në mbrëmje.
Probleme u shënuan edhe në Francë, ku kompania e shpërndarjes së energjisë Enedis raportoi se rreth 36 mijë familje mbetën pa energji elektrike. Ndërkohë, Hungaria njoftoi se centrali bërthamor Paks uli prodhimin, pasi temperatura e lartë e ujit të lumit Danub nuk lejonte ftohjen normale të reaktorëve.
Tedros e cilësoi stresin nga temperaturat ekstreme si një "vrasës të heshtur", duke theksuar se infrastruktura në Evropë nuk është projektuar për t'u përballur me valë të tilla të nxehti.
"I nxitur nga ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale, fenomeni i valëve të të nxehtit që dikur ndodhte një herë në një brez, tani po përsëritet pothuajse çdo vit", përfundoi ai.
Sipas shkencëtarëve të cituar nga Reuters, vala e të nxehtit që nisi më 20 qershor mund të jetë më e rënda e regjistruar ndonjëherë në Evropë.
Lini një Përgjigje