TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Qershor 2026, 21:17

Zv.presidenti i Parlamentit Europian mesazh nga protesta: Mjaft me tranzicion, mjaft me korrupsion!

Shkruar nga Pamfleti

Zv.presidenti i Parlamentit Europian mesazh nga protesta: Mjaft me tranzicion,

Nicolae Ștefănuță kujtoi rrëzimin e Çauçeskut, inkurajoi protestuesit të mos dorëzohen dhe tha se "politikanët vdesin kur njerëzit janë gjallë".

Një nga fjalimet më të forta në protestën e ditës së 30-të para Kryeministrisë u mbajt nga zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Nicolae Ștefănuță, i cili iu drejtua qytetarëve me një mesazh për demokracinë, luftën kundër korrupsionit dhe rëndësinë e qëndresës qytetare.

Me një qeleshe shqiptare në kokë, si shenjë respekti për vendin, eurodeputeti rumun bëri një paralelizëm mes rrëzimit të diktaturës në Rumani dhe tranzicionit shqiptar, duke u shprehur se shqiptarët nuk duhet të pranojnë më korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin.

"Mirëmbrëma Shqipëri! Jam zëvendëspresident i Parlamentit Europian, por jam biri i një bariu që ka rritur dele në Rumani. Këtu ndihem si në shtëpi, sepse Shqipëria është kombi ynë motër. Isha vetëm 9 vjeç kur pashë Çauçeskun të binte nga pushteti. Juve ju desh të prisnit edhe pak që të binte Enver Hoxha. Por sot nuk keni pse të duroni më asnjë formë diktature. Mjaft me tranzicion, mjaft me korrupsion!", tha ai. 

Në vijim të fjalës së tij, Ștefănuță tregoi përvojën personale në organizimin e protestave në Rumani, duke theksuar se lëvizjet qytetare, edhe kur nisin për një kauzë të vetme, mund të shndërrohen në një lëvizje të madhe kombëtare dhe evropiane.

"Edhe unë kam organizuar një protestë që nisi si një protestë ambientaliste në Rumani. Më pas iu bashkuan mijëra qytetarë, njerëz që protestonin kundër korrupsionit, erdhi edhe diaspora. Nuk ishte më vetëm një protestë për mjedisin, por një protestë evropiane. Prandaj ju sfidoj të mos i besoni atyre që ju thonë se energjia do t'ju mbarojë. Fuqia e vërtetë është tek njerëzit. Kur njerëzit janë gjallë dhe ngrihen në këmbë, këmbët e politikanëve fillojnë të dridhen", tha ai. 

Në fund të fjalimit, zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian vuri në dukje se në shesh ndodheshin eurodeputetë dhe përfaqësues evropianë, ndërsa, sipas tij, mungonte kryeministri Edi Rama.

"Pse janë evropianët këtu dhe pse nuk është Edi Rama këtu? Ndoshta ka frikë. Nëse ai ka frikë, ju nuk duhet të keni frikë. Mbani mend se rruga mund të jetë e gjatë, por ju jeni në anën e duhur të historisë. Dhe kur je në anën e duhur të historisë, Zoti është me ty. Jam krenar që mbaj këtë qeleshe shqiptare dhe shpresoj që shumë shpejt ta shoh Shqipërinë pjesë të Bashkimit Europian. Zoti e bekoftë Shqipërinë", tha ai. 

Fjalimi i Nicolae Ștefănuță u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, në një moment simbolik kur protesta ka mbushur një muaj qëndresë të pandërprerë.

protesta

Lini një Përgjigje