TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Korrik 2026, 22:02

"Rusia mund të mbetet pa bukë"/ Deputetja ngre alarmin, akuza Putinit për fshehjen e krizës

Shkruar nga Pamfleti
"Rusia mund të mbetet pa bukë"/ Deputetja ngre alarmin,
Deputetja ruse

Një ligjvënëse e Dumës pretendon se një pjesë e madhe e rafinerive është jashtë funksionit dhe akuzon qeverinë se po minimizon ndikimin e mungesës së karburantit në prag të korrjes së grurit.

Sipas gazetës gjermane Bild, Rusia po përballet me vështirësi në furnizimin me karburant, ndërsa sulmet me dronë ukrainas ndaj infrastrukturës së naftës dhe gazit kanë dëmtuar një numër objektesh energjetike në territorin rus.

Bild raporton se në shumë rajone janë vendosur kufizime në shitjen e benzinës dhe naftës, ndërsa në disa pika karburanti janë krijuar radhë të gjata ose stacionet janë mbyllur përkohësisht.

Deputetja e Dumës Shtetërore, Nina Ostanina, kryetare e Komisionit për Mbrojtjen e Familjes, deklaroi se rreth 1/3 e rafinerive ruse janë jashtë funksionit. Ajo kritikoi anëtarë të qeverisë, duke i akuzuar se nuk po e pranojnë përmasën e plotë të krizës.

Në një mesazh të publikuar në kanalin e saj në Telegram, Ostanina pyeti pse Ministria e Bujqësisë dhe zyrtarët përgjegjës nuk po reagojnë në prag të sezonit të korrjes.

"Pse hesht ministri i Bujqësisë dhe zëvendëskryeministri përgjegjës, pikërisht para fillimit të korrjes? Vendi mund të mbetet pa bukë, gjë që, në kushtet e sanksioneve ndërkombëtare, do të ishte e barabartë me një dënim me vdekje", shkroi ajo.

Sipas raportimit të Bild, mungesa e karburantit po prek edhe sektorin bujqësor. Disa fermerë kanë raportuar mungesë të naftës për makineritë bujqësore, çka mund të ndikojë në korrjen e grurit. Gazeta shton se në disa rajone janë vërejtur edhe shenja të para të mungesës së produkteve ushqimore.

Ostanina paralajmëroi gjithashtu se situata mund të ketë pasoja politike dhe të ndikojë në zgjedhjet për Dumën Shtetërore të planifikuara për në shtator.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri rus Aleksandër Novak deklaroi një ditë më parë se mungesa e karburantit është e kufizuar vetëm në "disa pika karburanti". Sipas tij, tregu i brendshëm vazhdon të furnizohet me benzinë dhe naftë.

 

rusia kriza putin

Lini një Përgjigje