TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Prill 2026, 11:29

SHBA zgjat licencën e funksionimit për NIS deri më 16 qershor

Shkruar nga Pamfleti

SHBA zgjat licencën e funksionimit për NIS deri më 16 qershor

Vendimi i OFAC i jep edhe 60 ditë kompanisë serbe, ndërsa vazhdojnë negociatat për shitjen e aksioneve ruse.

Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) në Departamentin e Thesarit të SHBA-së ka zgjatur licencën e funksionimit për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) deri më 16 qershor, raportoi të premten Radio Televizioni i Serbisë.

“Licenca e funksionimit për NIS është zgjatur me 60 ditë, gjë që është shumë e rëndësishme për planifikim më të qëndrueshëm të blerjeve të naftës bruto, funksionimin e sigurt të rafinerisë së Pançevës dhe furnizimin e besueshëm me produkte nafte në vend,” deklaroi ministrja serbe e Minierave dhe Energjisë, Dubravka Đedović Handanović.

Kompania më e madhe e naftës në Serbi ndodhet nën sanksione amerikane që nga tetori 2025 për shkak të pronësisë shumicë ruse. Për heqjen e sanksioneve, administrata amerikane kërkon tërheqjen e pronarëve rusë.

Đedović Handanović vlerësoi se zgjatja e re e licencës përfaqëson një “sinjal pozitiv të progresit në negociata” mes Gazprom Neft të Rusisë dhe kompanisë hungareze të naftës MOL lidhur me shitjen e pjesës ruse në NIS. Kjo shitje do të kërkojë gjithashtu miratimin e OFAC.

Ministrja njoftoi se përfaqësues të MOL do të jenë në Beograd më 19 prill.

“Ekipet operacionale (do të jenë në Beograd) nga e marta, në mënyrë që të diskutojmë të gjitha detajet,” tha ajo.

Ajo shtoi se objektivi kryesor i shtetit është të sigurojë që NIS të hiqet përgjithmonë nga lista e sanksioneve të SHBA-së, duke i mundësuar kompanisë të realizojë furnizim afatgjatë me naftë bruto.

Një tjetër qëllim, sipas saj, është rritja e pjesëmarrjes së Serbisë në kompani me pesë pikë përqindje, çka do t’i jepte shtetit kontroll më të madh mbi menaxhimin dhe ndikim më të lartë në kompani.

Grupi hungarez MOL konfirmoi më 19 janar se kishte nënshkruar termat kryesorë të një marrëveshjeje detyruese kuadër me Gazprom Neft për blerjen e 56.15 për qind të aksioneve në NIS.

Afati për nënshkrimin e marrëveshjes mbi strukturën e re të pronësisë së NIS, në të cilën Serbia mban një pjesëmarrje pakicë, është 22 maji.

 

serbia shba nis

Lini një Përgjigje