TAGS-AT E JAVËS

Forum23 Shkurt 2026, 16:46

Për një Angela Merkel, versioni kosovar!

Shkruar nga Enver Robelli
Për një Angela Merkel, versioni kosovar!
Enver Robelli

Nëse një vend si Gjermania i kushton kaq shumë rëndësi përvojës politike, Kosova nuk duhet të lejojë që poste të larta politike të marrin figura të panjohura, pra "kuti politike" që nuk dihet çka kanë brenda, që nuk u është dëgjuar gati kurrë zëri në publik, që nuk dihen qëndrimet e tyre politike.

Pa marrë parasysh se cilin personalitet vendosin ta zgjedhin partitë politike në postin e presidentit, një gjë duhet të jetë e qartë: Kosovës i duhet një figurë që ka përvojë politike, diplomatike, është i/e ambientuar në proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, njeh raportet ndërkombëtare dhe ka përvojë komunikimi me bashkësinë ndërkombëtare. Dhe një personalitet i tillë mund të jetë grua apo burrë, me rëndësi është profili. Në këtë kohë të furtunave të mëdha gjeopolitike, Kosova nuk ka as luks, as kohë për eksperimente. Nuk do të duhej të zgjidhej askush në post të presidentit për shkaqe emocionale apo me argumente vetëm patriotike.

Në Gjermani këto ditë është duke u diskutuar ideja që në postin e presidentes të zgjidhet Angela Merkel, ish-kancelarja me përvojë të gjatë politike. Nëse një vend si Gjermania i kushton kaq shumë rëndësi përvojës politike, Kosova nuk duhet të lejojë që poste të larta politike të marrin figura të panjohura, pra "kuti politike" që nuk dihet çka kanë brenda, që nuk u është dëgjuar gati kurrë zëri në publik, që nuk dihen qëndrimet e tyre politike.

Nga çdo kandidat për kryeministër kërkohet të shpjegohet para opinionit, të shpalos programin, të japë intervista, të mbajë qëndrime. Pse këto kritere nuk vlejnë për postin e presidentit? 5 vite janë të gjata dhe Kosova do të përballet me sfida të mëdha. Përvoja politike është esenciale për t’iu përgjigjur këtyre sfidave. Dhe përgjegjëse për të gjetur një zgjidhje të duhur dhe për të shmangur eksperimentet politike janë të gjitha partitë, e në radhë të parë partia që i ka fituar zgjedhjet.

Kosova ka diplomatë dhe ish-diplomatë, por edhe personalitete të tjera nga jeta politike që do ishin dinjitozë për postin e presidentit, nëse nuk ka pajtueshmëri për të vazhduar edhe një mandat me presidenten aktuale. Kjo është çështje e partive politike dhe vendimmarrësit duhet ta kenë parasysh se është në duart e tyre të mos shkaktojnë dëme politike me kandidatura të papërshtatshme.

kosove zgjedhjet presidenti i ri

1 Komente

  1. a
    astrit

    Pervoja politike eshte e rendesishme por kjo duhet domosdoshmerisht te shoqerohet me moral politiken.

    Lini një Përgjigje