Nga vilat luksoze në Spanjë te kompanitë offshore në parajsat fiskale, antimafia italiane po rindërton perandorinë financiare të mafiozit. Mes vendeve ku dyshohet se lëvizi dhe krijoi kontakte gjatë arratisë përmendet edhe Shqipëria.
Zbulimi i një pasurie me vlerë mbi 200 milionë euro, e lidhur me rrjetin financiar të Matteo Messina Denaro-s, ka rikthyer në qendër të vëmendjes jo vetëm perandorinë ekonomike të bosit të Cosa Nostra-s, por edhe pistat e vjetra hetimore që e lidhnin atë me Ballkanin dhe Shqipërinë.
Operacioni i zhvilluar nga Guardia di Finanza dhe Prokuroria Antimafia e Palermos konsiderohet një nga goditjet më të mëdha ndaj trashëgimisë ekonomike të mafias siciliane. Tre persona u arrestuan, ndërsa u sekuestruan kompani, pasuri të paluajtshme, llogari financiare dhe asete të tjera që sipas hetuesve janë krijuar nga fitimet e trafikut ndërkombëtar të drogës që nga vitet 1980.
Hetimi shtrihet në disa vende të botës, përfshirë Andorrën, Gjibraltarin, Ishujt Kajman, Luksemburgun, Zvicrën, Libanin, Monakon dhe Spanjën, ku autoritetet zbuluan një rrjet kompleks investimesh të fshehura pas kompanive offshore. Sipas prokurorit të Palermos, Maurizio de Lucia, bëhet fjalë për “një pjesë të rëndësishme të investimeve që Cosa Nostra ka kryer jashtë Italisë përgjatë dekadave”.

Në mesin e aseteve të identifikuara janë kompani të pasurive të paluajtshme, vila luksoze në zonat ekskluzive të Marbella-s, Malaga-s dhe Puerto Banus-it, si dhe struktura financiare të ndërtuara për të ricikluar fitimet e trafikut të kokainës. Mediat italiane e kanë cilësuar operacionin si zbulimin e “thesarit të drogës” së Matteo Messina Denaro-s.
Por ndërsa hetuesit po zbulojnë gjurmët e kapitalit të mafias në Europë dhe në parajsat fiskale, një pyetje mbetet ende pa përgjigje: a ka mbërritur ndonjë pjesë e këtij rrjeti financiar edhe në Shqipëri?
Prej vitesh, emri i Shqipërisë është shfaqur në raportime të ndryshme italiane që lidhen me lëvizjet e Denaro-s gjatë arratisë së tij 30-vjeçare. Sipas mediave italiane, bosi i Cosa Nostra-s dyshohet se ka udhëtuar në Shqipëri dhe Mal të Zi për të ndërtuar kontakte të lidhura me trafikun ndërkombëtar të drogës.
Raportimet flasin se fillimisht në Shqipëri ishte dërguar Luca Bellomo, bashkëshorti i mbesës së tij Lorenza, ndërsa më pas vetë Denaro dyshohet se ka kryer udhëtime për të takuar biznesmenë dhe persona me ndikim. Hetuesit italianë kanë ngritur dyshime se këto lëvizje lidhen me zgjerimin e rrjetit të trafikut të kokainës dhe me investime të mundshme jashtë Italisë.
Edhe gazetari investigativ Roberto Saviano, një nga njohësit më të mëdhenj të mafias italiane, ka përmendur Shqipërinë kur ka folur për pasurinë e fshehur të Denaro-s.
“Ndoshta prokurorët nuk do të arrijnë kurrë të identifikojnë të gjitha paratë e Matteo Messina Denaro-s. Pasuritë materiale në Itali mund të gjurmohen, por llogaritë jashtë vendit, paratë e tij ndoshta në Shqipëri, zonë ku hetimet e kanë gjurmuar shpesh, apo kapitalet në parajsat fiskale, mund të mos zbulohen kurrë”, shkruante Saviano në një analizë kushtuar trashëgimisë së bosit mafioz.
Deri tani, autoritetet italiane nuk kanë bërë publik asnjë aset të sekuestruar në Shqipëri dhe nuk ekziston një konfirmim zyrtar për investime të Denaro-s në territorin shqiptar. Megjithatë, fakti që Shqipëria është përmendur vazhdimisht në pistat hetimore dhe në analizat mbi rrjetin e tij financiar, ka bërë që pas operacionit të fundit të antimafias të rikthehen pyetjet mbi rolin që mund të ketë luajtur vendi ynë në lëvizjet e njërit prej bosëve më të fuqishëm të mafias europiane.
Ndërsa Italia vazhdon të çmontojë perandorinë financiare të njeriut që për tre dekada sfidoi drejtësinë, një pjesë e misterit mbetet ende e pazbardhur: sa nga pasuria e fshehur e Matteo Messina Denaro-s ndodhet ende jashtë radarëve të hetuesve dhe a kaloi një pjesë e saj përmes Shqipërisë? /Pamfleti
Lini një Përgjigje