
Një aksident i rëndë detar është regjistruar në Gjirin e Ksamilit, ku një mjet lundrues është përplasur me skafin e Policisë Kufitare. Si pasojë, një i ri ka humbur jetën.
Një aksident i rëndë detar ka ndodhur ditën e sotme në Gjirin e Ksamilit, ku një mjet lundrues është përplasur me skafin e Policisë Kufitare të Sarandës. Sipas informacioneve paraprake, raportohet se përplasja ka qenë e fortë, ndërsa dyshohet se një person ka humbur jetën. Bëhet fjalë për 22-vjeçarin Albiano Kreçi.
Policia kufitare njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30, kur i riu, banues në Ksamil, po lundronte me një mjet tip jet ski (makinë lundruese). Dyshohet se, për shkak të lëvizjes me shpejtësi, ai është përplasur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ndodhej i stacionuar rreth 400 metra larg bregut dhe ishte në monitorim të hapësirës detare.
Përplasja rezultoi fatale për 22-vjeçarin. Menjëherë pas ngjarjes, punonjësit e Policisë Kufitare, me ndihmën e drejtuesve të tjerë të mjeteve lundruese që ndodheshin në zonë, e nxorën të riun nga deti dhe e transportuan me urgjencë drejt spitalit të Sarandës.
Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore, Albiano Kreçi nuk arriti t’u mbijetojë dëmtimeve të marra dhe ndërroi jetë në spital.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se jet ski-ja e drejtuar prej tij ka pësuar dëmtime të rënda dhe është fundosur pas përplasjes.
Nga ky aksident nuk raportohet për persona të tjerë të lënduar, ndërsa viktima e vetme është 22-vjeçari Albiano Kreçi.
Menjëherë pas ngjarjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe nën drejtimin e Prokurorisë po kryen veprimet për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe shkaqet e aksidentit.
"Rreth orës 18:30, në Ksamil, shtetasi A. K., rreth 22 vjeç, banues në Ksamil, duke lundruar në det me një mjet lundrues tip jet ski (makinë lundruese), dyshohet se, si pasojë e lundrimit me shpejtësi, është përplasur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ishte i stacionuar (i ndaluar) rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare.
Si pasojë e përplasjes, u dëmtua drejtuesi i mjetit lundrues, i cili u nxor menjëherë nga deti nga punonjësit e Policisë dhe drejtues të tjerë të mjeteve lundruese që ndodheshin në zonë, dhe u transportua me urgjencë në spital, por, si pasojë e dëmtimeve të marra, humbi jetën.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes", thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje