Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, janë caktuar masat e sigurimit personal ndaj dy të miturave dhe një 19-vjeçareje, të përfshira në ngjarjen e rëndë të dhunës ndaj një të miture, e cila u bë publike përmes pamjeve të shpërndara në rrjetet sociale.
Për shtetasen L.L. është caktuar masa e sigurisë "Arrest në burg", për të miturën K.G. masa "Arrest në shtëpi", ndërsa për të miturën M.R. masa "Shtrim i përkohshëm në një institucion psikiatrik".
Të treja dyshohen për kryerjen,në bashkëpunim,të veprës penale "Heqja e paligjshme e lirisë", të parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal.
Prokuroria bën të ditur se janë evidentuar fakte që kanë ngritur dyshime të arsyeshme për ekzistencën e kësaj vepre penale. Sipas organit të akuzës, provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit kanë diktuar nevojën për marrjen e masave të sigurimit personal ndaj personave nën hetim.
Prokuroria thekson se hetimet do të vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ngjarja që tronditi opinionin publik
Rasti u bë publik pasi në rrjetet sociale u shpërndanë pamje tronditëse, ku shfaqeshin dy të mitura duke ushtruar dhunë në mënyrë brutale ndaj një 17-vjeçareje, ndërsa një tjetër filmonte të gjithë episodin me telefon celular. Në video, e reja dhunohej fizikisht dhe poshtërohej, ndërsa pamjet u përhapën me shpejtësi në platforma të ndryshme, duke shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.
Sipas Policisë së Fierit, ngjarja ka ndodhur më 8 qershor 2026. Po atë ditë, 17-vjeçarja është paraqitur në Komisariatin e Policisë Fier së bashku me nënën e saj, ku ka kallëzuar se ishte dhunuar dhe filmuar në banesën e një 19-vjeçareje nga kjo e fundit dhe dy të mitura 15-vjeçare.
Pas marrjes së kallëzimit, shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë duke shoqëruar në komisariat tre vajzat e dyshuara. Gjatë marrjes në pyetje, ato kanë pranuar se kishin ushtruar dhunë ndaj 17-vjeçares, duke deklaruar se konflikti kishte ndodhur për motive të dobëta.
Lini një Përgjigje