Gjykata e Shkallës së Parë në Dibër ka vendosur të premten të zëvendësojë masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj ish-zëvendësdrejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër, Danjel Gjura, duke urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Enkeleda Halilaj. Gjura ishte vetëdorëzuar në polici dy ditë më parë, pasi ishte shpallur në kërkim si i dyshuar në një skemë mashtrimi për tjetërsim pronash. Gjykata pranoi pjesërisht kërkesën e Prokurorisë dhe zëvendësoi masën e caktuar më 17 qershor me dy masa të reja: “detyrim për t’u paraqitur në polici gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Gjura duhet të paraqitet çdo të hënë të dytë të muajit, në orën 12:00, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit brenda pesë ditëve. Lirimi i Gjurës u prit me entuziazëm nga mbështetësit e tij.
Në Peshkopi u hodhën fishekzjarre, ndërsa në rrjetet sociale, veçanërisht TikTok, janë shpërndarë prej javësh postera dhe video mbështetëse. Gjura u arrestua pas rreth një muaji në arrati, në kuadër të një operacioni për falsifikim dokumentesh pronësie.
Prokuroria e akuzon për “mashtrim” dhe “falsifikim dokumentesh”. Në të njëjtën çështje u arrestuan edhe persona të tjerë, mes tyre Teshar Doçi. Pak javë para se të shpallej në kërkim, Gjura ishte zhvendosur nga posti i drejtorit në atë të zëvendësdrejtorit të Kadastrës së Dibër. Emri i tij është përmendur edhe më herët në denoncime publike lidhur me tjetërsimin e pronave.
Lini një Përgjigje