Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kundërshtuar aktin normativ përmes të cilit qeveria akordoi 4 milionë euro për mbarëvajtjen e koncertit të reperit amerikan Kanye West, duke e cilësuar këtë vendim si antikushtetues.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka përdorur fondin rezervë të qeverisë për një aktivitet privat, duke pretenduar se ky fond është krijuar për emergjenca dhe raste të veçanta, jo për financimin e një koncerti.
“Në mënyrë të papritur, antikushtetuese, absolutisht antikushtetuese, Edi Rama merr nga fondi rezervë i qeverisë, krijimi i të cilit bazohet në nene të qarta të Kushtetutës së Shqipërisë, dhe ky fond që i është besuar atij për ta përdorur për emergjencë, urgjenca dhe raste tepër të veçantë, këtë fond Edi Rama e ndan me Kanye West, një këngëtar i mirënjohur, vetëm e vetëm për lobingje të tij. Ky është një krim antikushtetues.
Në asnjë rrethanë dhe asnjë rast, një koncerti privat nuk mund t’i jepeshin paratë e emergjencave të një vendi apo paratë e rezervës së Këshillit të Ministrave. Këtë e bën vetëm ai që nuk pyet për Kushtetutë. Vetëm ai që nuk ka asnjë interes të shtetit ligjor apo interes kombëtar. Ka vetëm interesa personale. Me një grusht servilësh të inkriminuar ministra, të cilët nuk duhet të pranonin kurrë të bëheshin bashkëautorë në këtë krim”, tha Berisha.
Sipas kreut të PD-së, vendimi për pagesën ndaj koncertit të Kanye West është një mesazh i gabuar për qytetarët dhe protestuesit.
“Ftoj qytetarët të bashkohen në një protestë të fuqishme tërësisht ndaj akteve të përsëritura të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Pagesa 4 mln për Kanye West është një injorim i tmerrshëm për shqiptarët dhe ata qindra mijëra qytetarë që janë në protestë kundër tij. Kjo është dëshmi se si Rama taksat e shqiptarëve i konsideron si para të portofolit apo llogarive të tij. Qeveria shqiptare do i paguajë kompanisë 10 mln euro bileta të munguara që do ndahen mes Edi Ramës dhe sojës së tij”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje