Gazetari Xhevahir Zhabina ka zbuluar detaje mbi mënyrën se si funksiononte grupi mafioz i goditur nga SPAK dhe antimafia italiane në operacionin e përbashkët të zhvilluar së fundmi ku kreu i grupit ishte shqiptari Igli Kamberi.
I ftuar në "Euronews Albania", Zhabina deklaroi se hetimi ishte ndërtuar kryesisht nga autoritetet italiane dhe më pas i ishte vënë në dispozicion Prokurorisë shqiptare.
“Ky është nga ato hetime që i është dhënë i gatshëm Prokurorisë shqiptare nga antimafia italiane. Është një operacion në stilin italian që ka zgjatur me vite për të pasur një sukses më të madh", tha ai.
Sipas gazetarit, një shumë prej 680 mijë eurosh është sekuestruar në Muriqan gjatë vitit 2024, ndërsa dyshohet se paratë kishin për qëllim të pastroheshin në Shqipëri.
“Në 2024, në Muriqan është sekuestruar një sasi prej 680 mijë eurosh, që vinin në Shqipëri për t’u pastruar dhe SPAK e di se ku pastrohen këto para”, u shpreh Zhabina.
Ai tregoi gjithashtu se skema e përdorur nga grupi kriminal ishte maskimi i parave si ndihma bamirësie për një shoqatë në zonën e Lezhës.
“Vinin në Shqipëri në formën e një bamirësie për një shoqatë në zonën e Lezhës dhe këtë e ka hetuar prokuroria italiane”, përfundoi gazetari.
Lini një Përgjigje