TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Korrik 2026, 09:35

Skandali në filialin e Postës në Durrës, policia: U grabitën 69 mln lekë të pensioneve dhe ndihmave sociale

Shkruar nga Pamfleti
Skandali në filialin e Postës në Durrës, policia: U
Skandali në filialin e Postës në Durrës

Sipas hetimeve, fondet ishin destinuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale në degët e Shijakut dhe Krujës. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Tre zyrtare të filialit të Postës Shqiptare në Durrës kanë rënë në prangat e Policisë, pasi dyshohen se kanë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj, të destinuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale.

Sipas policisë, në pranga janë vënë: Elisabeta Mataj, me detyrë drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare Durrës, Valbona Doni, shefe e financës, si dhe Paola Dana, arkëtare.

Nga veprimet hetimore dyshohet se, gjatë muajve prill dhe maj 2026, tre zyrtaret kanë përvetësuar shumën prej 69 milionë lekësh të rinj, fonde që ishin planifikuar të arkëtoheshin nga filiali i Postës Shqiptare në Durrës për degët e Shijakut dhe Krujës, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.

Ndaj tre zyrtareve është regjistruar procedim penal për veprat "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Vjedhja duke shpërdoruar detyrën", të kryera në bashkëpunim.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari të dyshuar kriminale.

"Në vijim të operacioneve për goditjen e krimeve ekonomike dhe financiare, Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Durrës dhe në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, finalizoi operacionin policor të koduar "Filiali".

Në kuadër të operacionit u ndaluan shtetaset: -E. M., 41 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare Durrës; -V. D., 59 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë shefe e financës në filialin e Postës Shqiptare Durrës; -P. D., 39 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë arkëtare/llogaritare në filialin e Postës Shqiptare Durrës.

Ndalimi i tyre u bë në funksion të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria, për veprat "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Vjedhja duke shpërdoruar detyrën", të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se, gjatë muajve prill dhe maj 2026, këto shtetase kanë përvetësuar shumën 69 milionë lekë të rinj, e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës, për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.", njofton policia.

Hetimi nisi pas një kallëzimi penal të depozituar nga Posta Shqiptare në Prokurorinë e Durrësit. Pas marrjes së materialeve, prokurori i çështjes, G. Frëngu, urdhëroi nisjen e menjëhershme të veprimeve procedurale dhe kërkoi mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Burime bëjnë me dije se tre punonjëset janë ballafaquar me akuzat e ngritura nga institucioni për shkelje të detyrës dhe abuzim me vlera monetare. Pas veprimeve të para hetimore, prokurori vendosi ndalimin e tyre, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht mekanizmin e dyshuar të abuzimit dhe përgjegjësitë individuale të secilës.

Dy ditë më parë, Posta Shqiptare njoftoi shkarkimin nga detyra të drejtoreshës së filialit në Durrës, Elisabeta Mataj, pas një kontrolli të brendshëm ku u konstatuan parregullsi në administrimin e fondeve të lidhura me shërbimet e pagesave.

Sipas të dhënave paraprake, fillimisht u dyshua për mungesën e rreth 700 mijë eurove në fondin e filialit. Megjithatë, verifikimet e mëtejshme flasin për një dëm ekonomik që mund të arrijë deri në 3 milionë euro, ndërsa vlera përfundimtare do të përcaktohet nga hetimet e Prokurorisë.

Posta Shqiptare bëri me dije se, pas përfundimit të kontrollit të brendshëm, mori masa administrative ndaj punonjësve të përfshirë dhe referoi çështjen në organin e akuzës, duke depozituar kallëzim penal.

Elisabeta Mataj mori drejtimin e filialit të Postës Shqiptare në Durrës në tetor të vitit 2025, pasi zëvendësoi Etleva Budinin, e cila u largua nga detyra pas zgjedhjes si deputete në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Lini një Përgjigje