TAGS-AT E JAVËS

Kronike15 Qershor 2026, 14:03

U ekstradua dy ditë më parë nga Spanja, GJKKO lë në burg djalin e Erzen Breçanit për trafik kokaine

Shkruar nga Pamfleti
U ekstradua dy ditë më parë nga Spanja, GJKKO lë në
Eralb Breçani dhe Erzen Breçani

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Eralbi Breçanin, djalin e ish-zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani.

I shpallur në kërkim që në nëntor të vitit 2023, Eralbi Breçani u vetëdorëzua në Spanjë më 2 prill të këtij viti dhe u ekstradua në Shqipëri dy ditë më parë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, ai dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian. Në këtë grup përmenden edhe emrat e Ergys Dashit dhe Ervin Matës, të cilët dyshohet se kishin role financuese dhe organizuese në aktivitetin kriminal.

SPAK pretendon se, bazuar në komunikimet e siguruara nga platforma e enkriptuar “SkyECC”, Eralbi Breçanit i atribuohet përfshirja në trafikimin e një sasie prej 446 kilogramësh kokainë, e sekuestruar në Holandë në dhjetor të vitit 2021. Në këtë aktivitet dyshohet se kanë qenë të përfshirë edhe Ismail Zeneli dhe Besmir Murtati.

Sipas hetimeve, fitimet e përfituara nga trafiku ndërkombëtar i drogës dyshohet se pastroheshin në Shqipëri me ndihmën e babait të tij, Erzen Breçani. Prokuroria pretendon se ish-funksionari i policisë ka kryer veprime për administrimin dhe futjen në qarkullim të të ardhurave me origjinë kriminale, me qëllim fshehjen e burimit të tyre të vërtetë.

SPAK vlerëson se babë e bir kanë vepruar në funksion të fshehjes së origjinës së të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal. Po sipas akuzës, grupi kriminal dyshohet se ka shfrytëzuar edhe pozicionet e disa funksionarëve të agjencive ligjzbatuese për të siguruar dhe shpërndarë informacione të klasifikuara, të cilat u shërbenin anëtarëve të grupit për t’iu shmangur hetimeve dhe për të vijuar aktivitetin e tyre të paligjshëm.

Hetimet për këtë çështje vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.

Lini një Përgjigje