Përmes gjurmimit të qelizave telefonike, rezulton se Shakaj ka lëvizur drejt zonës së Dajtit, ku aktualisht po zhvillohen kontrolle intensive. Hetuesit dyshojnë se pikërisht në këtë zonë mund të jetë fshehur trupi i 34-vjeçarit.
Publikohen fotoja e Enea Zyferit, kamarierit të arrestuar si bashkëpunëtor në çështjen e zhdukjes së Eglant Koçit, si dhe automjeti që dyshohet se është përdorur nga Armand Shakaj për transportimin e trupit të 34-vjeçarit.
Koçi rezulton i zhdukur prej mbrëmjes së 4 qershorit dhe hetuesit kanë dyshime të forta se ai është vrarë, ndërsa trupi i tij është fshehur. Për këtë ngjarje në kërkim është shpallur Armand Shakaj, i cili konsiderohet personi kryesor i dyshuar.
Sipas hetimeve, Enea Zyferi, i arrestuar si bashkëpunëtor, dyshohet se ka ndihmuar Shakajn në fshehjen e gjurmëve. Në dëshminë e tij, ai ka mohuar të ketë dijeni për fatin e Eglant Koçit, duke deklaruar se pronari i lokalit, Armand Shakaj, i kishte kërkuar vetëm të fikte dritat pasi do të nxirrte një frigorifer të madh. Pikërisht ky moment dyshohet nga grupi hetimor si koha kur është nxjerrë trupi i pajetë i 34-vjeçarit.
Ndërkohë, "TV Klan" ka publikuar edhe foton e automjetit tip “Porsche”, i cili u gjet në një lavazh në zonën e Bulevardit të Ri. Sipas hetuesve, makina ishte dërguar për pastrim nga vetë Zyferi, me qëllim eliminimin e gjurmëve. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën njolla gjaku, të cilat janë dërguar për ekspertizë laboratorike, si dhe një lopatë që mund të ketë lidhje me ngjarjen.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu lëvizje të dyshimta të Armand Shakajt pas zhdukjes së Koçit. Kamerat e sigurisë e kanë filmuar teksa lëviz motorin e të zhdukurit në një vend tjetër, ndërsa pamje të tjera e tregojnë duke transportuar një objekt që ngjan me një qese të zezë drejt automjetit të tij.
Përmes gjurmimit të qelizave telefonike, rezulton se Shakaj ka lëvizur drejt zonës së Dajtit, ku aktualisht po zhvillohen kontrolle intensive. Hetuesit dyshojnë se pikërisht në këtë zonë mund të jetë fshehur trupi i 34-vjeçarit.
Pista kryesore e hetimit mbetet një konflikt mes dy miqve për shuma të konsiderueshme parash të përfituara nga investimet në kriptomonedha. Ndërsa kërkimet për Armand Shakajn vijojnë, policia po punon për të zbardhur plotësisht fatin e Eglant Koçit dhe për të gjetur vendndodhjen e trupit të tij.
Lini një Përgjigje