TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Korrik 2026, 15:15

Kaos dhe përplasje në Kuvend, PS i hap rrugë votimit të rendit të ditës; i pranishëm edhe Rama

Shkruar nga Pamfleti
Kaos dhe përplasje në Kuvend, PS i hap rrugë votimit të
Debate në Kuvend

Opozita bllokon foltoren për të penguar vijimin e seancës për reformën territoriale. PS mohon se po votohet reforma, ndërsa me 84 vota miratohet ndryshimi i rendit të ditës. Jashtë Parlamentit, protestuesit përplasen me policinë mes gazit lotsjellës, sprajit djegës dhe tymit.

Seanca plenare e Kuvendit u zhvillua në një atmosferë të tensionuar si brenda ashtu edhe jashtë godinës së Parlamentit. Ndërsa opozita bllokoi foltoren duke penguar vijimin normal të punimeve, jashtë Kuvendit, që prej orës 08:30, me qindra qytetarë u mblodhën në protestë, e cila u shoqërua me përplasje të forta me forcat e policisë.

Protestuesit tentuan të afrohen pranë hyrjeve të Kuvendit, ndërsa policia ndërhyri për t'i zmbrapsur. Gjatë përleshjeve u përdor gaz lotsjellës, spraj djegës dhe u krijuan re të dendura tymi, ndërsa pati momente tensioni mes efektivëve dhe protestuesve.

Brenda sallës së Kuvendit, opozita vijoi bllokimin e foltores për të mos lejuar prezantimin e raporteve të grupeve të ekspertëve për reformën administrativo-territoriale.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, akuzoi opozitën se po zbaton një skenar të përsëritur për të penguar zhvillimin normal të seancës dhe hodhi poshtë pretendimet se gjatë seancës do të votohej reforma territoriale.

"Është e pavërtetë që sot do të votohet reforma territoriale. Sot paraqiten vetëm raportet e dy palëve. Deputetët po mbajnë peng seancën duke bllokuar foltoren", deklaroi Balla.

Ai propozoi ndërprerjen e diskutimeve për reformën territoriale dhe kalimin në shqyrtimin e projekt-rezolutave për institucionet e pavarura të drejtësisë.

Propozimi u miratua nga Kuvendi me 84 vota pro, 7 kundër dhe asnjë abstenim, duke i hapur rrugë vijimit të rendit të ditës. Mes deputetëve që votuan ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili iu bashkua seancës plenare.

Më herët, pas afro katër orësh debat procedural, Kuvendi tentoi të kalonte në prezantimin e raporteve për reformën territoriale. Megjithatë, bashkëkryetari demokrat i komisionit, Luçiano Boçi, u afrua sërish te foltorja për të penguar prezantimin e raportit nga Arbjan Mazniku, duke detyruar drejtimin e seancës të shpallte për herë të tretë një pushim pesëminutësh.

Boçi akuzoi mazhorancën se po vepron në mënyrë të njëanshme dhe se nuk ka respektuar procesin e konsultimeve për reformën administrativo-territoriale.

Sipas tij, kërkesa e Partisë Demokratike për shtyrjen me tre muaj të mandatit të Komisionit të Posaçëm është rrëzuar pa argumente, ndërsa raporti që po prezantohet nuk përfaqëson produktin e komisionit.

"Ky raport nuk është produkt i Komisionit Parlamentar. Nuk mund të ketë raport përfundimtar pa kaluar më parë në komision. Ju doni të vazhdoni një projekt për shkrirjen e bashkive dhe shpopullimin e vendit", deklaroi Boçi.

Nga ana tjetër, Balla kundërshtoi zgjatjen e mandatit të komisionit, duke theksuar se afatet janë përmbushur dhe se procesi nuk mund të rikthehet pas.

"Ky komision e ka përfunduar mandatin e tij. Sot Kuvendi dëgjon gjetjet e ekspertëve dhe jo miratimin e reformës. Më pas çdo deputet mund të paraqesë propozimet e veta", u shpreh ai.

Edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ngriti dyshime mbi raportin e shpërndarë deputetëve, duke deklaruar se dokumenti është dërguar me e-mail një ditë më parë dhe nuk dihet origjina e tij.

Sipas Bardhit, puna për reformën territoriale nuk ka përfunduar, ndërsa mungojnë konsultimet me qytetarët dhe me Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.

Pavarësisht tensioneve në sallë dhe protestës jashtë Parlamentit, Kuvendi vijoi procedurat parlamentare, ndërsa situata mbeti e tensionuar si në ambientet e brendshme ashtu edhe në perimetrin e sigurisë përreth godinës së Parlamentit.

 

parlament

Lini një Përgjigje