TAGS-AT E JAVËS

Kosova 7 Qershor 2026, 22:27

Kryeson me mbi 43% të votave, Lëvizja Vetëvendosje shpall fitoren në Kosovë

Shkruar nga Pamfleti

Kryeson me mbi 43% të votave, Lëvizja Vetëvendosje shpall fitoren

Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur fitoren në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, pasi rezultatet paraprake e nxjerrin forcën politike të drejtuar nga Albin Kurti në vendin e parë me një diferencë të konsiderueshme ndaj kundërshtarëve.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas numërimit të mbi 95% të votave, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 43.47% të mbështetjes së qytetarëve.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës me 21.40% të votave, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.88%. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 7.19% të votave.

Procesi zgjedhor u zhvillua pa incidente të rëndësishme, ndërsa Policia e Kosovës njoftoi se votimet dhe numërimi i votave janë zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt në të gjithë territorin e vendit.

Ndërkohë, pjesëmarrja në këto zgjedhje rezultoi më e ulët krahasuar me proceset e fundit zgjedhore. Sipas të dhënave paraprake, rreth 35% e qytetarëve me të drejtë vote morën pjesë në votime, nga rreth 45% që ishte pjesëmarrja në zgjedhjet e dhjetorit të kaluar.

Rezultati konfirmon edhe një herë Vetëvendosjen si forcën kryesore politike në Kosovë, ndërsa pritet të shihet nëse partia e Albin Kurtit do të sigurojë mbështetjen e nevojshme për formimin e qeverisë së re.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, LVV ka publikuar një foto ku shkruan se festa e madhe e fitores do të mbahet në sheshin “Skënderbe” në Prishtinë, në orën 23:00.

Lini një Përgjigje