Procesi i votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë është mbyllur, ndërsa vëmendja tashmë është përqendruar te numërimi i votave dhe ruajtja e integritetit të procesit zgjedhor.
Menjëherë pas përfundimit të votimit, drejtuesit politikë dhe institucionalë kanë reaguar duke u bërë thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve që të garantojnë një proces të rregullt, transparent dhe në përputhje me vullnetin e qytetarëve.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, deklaroi se legjitimiteti i procesit varet nga mbrojtja e votës së qytetarëve.
"Vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e sotme është brenda kutive të votimit. Mbrojtja e tij është kusht i pandashëm i legjitimitetit dhe kredibilitetit të procesit zgjedhor", deklaroi Kurti.
Ai theksoi se përgjegjësia tashmë bie mbi komisionerët dhe vëzhguesit që po ndjekin procesin e numërimit.
"Në këto momente, sytë, veshët dhe vëmendja jonë janë te ju komisionerë dhe vëzhgues. Mbi juve peshon një përgjegjësi e lartë institucionale dhe fisnike", u shpreh ai.
Ndërkohë, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen dhe mënyrën se si u zhvillua procesi zgjedhor në vend.
"Qytetarët e Kosovës treguan edhe një herë qytetari, përgjegjësi dhe kulturë demokratike. Në një proces të qetë e dinjitoz, ata dëshmuan se besojnë në fuqinë e votës dhe në të drejtën për të vendosur për të ardhmen e vendit tonë", deklaroi Hamza.
Kreu i PDK-së kërkoi që procesi i numërimit të zhvillohet me kujdes maksimal dhe çdo votë të respektohet deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar.
"Demokracia nuk përfundon me hedhjen e votës në kuti, por vazhdon edhe me respektimin e saj. Le të kujdesemi së bashku që çdo votë e qytetarëve të ruhet dhe të mbrohet deri në fund", tha ai.
Pas mbylljes së qendrave të votimit reagoi edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila e cilësoi numërimin si fazën vendimtare të procesit zgjedhor.
"Pas mbylljes së qendrave të votimit, fillon faza vendimtare e procesit zgjedhor, numërimi. Çdo votë është zëri i qytetarëve dhe duhet të trajtohet me përgjegjësinë më të lartë", shkroi Haxhiu.
Ajo u bëri thirrje të gjithë personave përgjegjës të angazhohen maksimalisht për mbrojtjen e integritetit të procesit dhe të vullnetit të qytetarëve.
"Ftoj të gjithë personat përgjegjës që me përkushtim, vigjilencë dhe profesionalizëm të angazhohen maksimalisht në mbrojtjen e vullnetit të popullit dhe integritetit të procesit", u shpreh ajo.
Me përfundimin e votimit, Kosova hyn tashmë në fazën e numërimit të votave, ndërsa partitë politike dhe institucionet po bëjnë thirrje për qetësi, transparencë dhe respektim të rezultatit që do të dalë nga kutitë e votimit.
Lini një Përgjigje