
Lëvizja Vetëvendosje ka mirëpritur propozimin e deputetit të zgjedhur të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, që për zgjedhjen e presidentit të garojnë dy kandidatë – një nga partia fituese e zgjedhjeve dhe një nga partitë që kanë qenë në opozitë.
Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se presidenti është përgjegjësi e të gjithë deputetëve dhe jo vetëm e shumicës parlamentare, duke vlerësuar se një garë e tillë do të siguronte kuorumin e nevojshëm për zgjedhjen e kreut të shtetit.
“Ka mënyra të ndryshme për ta tejkaluar bllokadën nëse ka vullnet politik. Kjo është një nga mënyrat. Opozita ka mjaftueshëm nënshkrime për ta nxjerrë një kandidat. Po ta bënte një gjë të tillë herën e kaluar, nuk do t’i kishim zgjedhjet e 7 qershorit”, ka deklaruar Rrustemi.
Ideja u hodh një ditë më parë nga Besnik Tahiri, i cili propozoi që partitë e ish-opozitës të mbështesin Ramush Haradinajn si kandidat për president, ndërsa përballë tij të jetë një kandidat i Vetëvendosjes. Sipas këtij skenari, me 57 deputetë të LVV-së dhe 47 deputetë të ish-opozitës do të sigurohej kuorumi prej 80 deputetësh, i nevojshëm në dy raundet e para të votimit për president.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ndryshon qëndrimin sa i përket kandidaturës për president. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se Vjosa Osmani mbetet kandidatja e partisë për postin e presidentes.
“Ka 10 ditë që i kam paraqitur parimet gjithëpërfshirëse për bashkëpunim. Nuk dal jashtë parimeve të veta, e në veçanti për partinë e parë, partinë e dytë dhe partinë e pestë”, është shprehur Haziri.
Lidhur me propozimin e Tahirit, KOHA ka bërë të ditur se ka kërkuar qëndrim edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.
Një thirrje për një marrëveshje më të gjerë politike ka bërë edhe deputeti i zgjedhur nga komuniteti serb, Nenad Rashiç. Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim ka vlerësuar se partitë shqiptare duhet të arrijnë një plan të përbashkët për krijimin e institucioneve.
“Një planifikim gjithëpërfshirës, mos të jetë vetëm fazë pas fazës ose të krijohet një pjesë e institucioneve pa pasur plan çfarë bëhet me institucionet e tjera. Është shumë me rëndësi që të kemi të gjithë një pako që të mos të mundësojmë që armiqtë e institucioneve të Kosovës të ndikojnë me disa presione”, ka deklaruar Rashiç.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit u mbajtën pasi deputetët e legjislaturës së kaluar nuk arritën të zgjedhin presidentin, duke çuar vendin në zgjedhje të reja.
Lini një Përgjigje