Futbollisti i njohur argjentinas, Mauro Icardi, ka dalë fitues në një proces të rëndësishëm gjyqësor ndaj ish-bashkëshortes së tij, Wanda Nara, një nga figurat më të njohura të showbiz-it në Argjentinë dhe ish-menaxherja e karrierës së tij.
Gjykata në Milano ka rrëzuar kërkesën e Wanda Nara-s për përfitimin e një pensioni ushqimor në vlerën e 250 mijë eurove në muaj, duke vlerësuar se ajo zotëron të ardhura dhe pasuri të konsiderueshme, të cilat tejkalojnë edhe ato të vetë futbollistit.
Sipas dokumenteve të shqyrtuara në proces, gjykata ka konstatuar se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për dhënien e alimentit, pasi Nara është financiarisht e pavarur dhe aktive profesionalisht.
“Pas analizimit të situatës financiare të Wanda-s, gjykata vendosi se Mauro Icardi nuk ka detyrim t’i paguajë ushqimet, pasi ajo disponon të ardhura të konsiderueshme dhe pasuri të madhe”, deklaroi avokatja e futbollistit, Lara Piro.
Vendimi përfshin gjithashtu edhe ndarjen e barabartë të shpenzimeve për rritjen e fëmijëve, duke marrë parasysh se të dy palët kanë kapacitet të fortë ekonomik.
Mediat e huaja raportojnë se Wanda Nara kishte kërkuar që çështja të shqyrtohej sipas ligjit argjentinas, por kërkesa e saj është refuzuar nga gjykata.
Në arsyetimin e vendimit, gjyqtarja theksoi se Nara është në moshë aktive pune, ka aftësi të konsoliduara profesionale dhe gjeneron të ardhura të mjaftueshme, duke përjashtuar nevojën për mbështetje financiare nga ish-bashkëshorti.
Ndërkohë, për Icardin u theksua se të ardhurat e tij varen nga kontratat sportive dhe karriera si futbollist profesionist, ndërsa e ardhmja e tij pas përfundimit të kontratës me Galatasaray mbetet ende e paqartë.
Vendimi konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në përplasjen ligjore mes ish-çiftit, e cila pritet të vijojë edhe në procese të tjera në Argjentinë.
Lini një Përgjigje