Për herë të parë në historinë e saj, Kanadaja do të luajë një ndeshje të Kupës së Botës në tokën vendase, teksa mbrëmjen e sotme do të përballet me Bosnje-Hercegovinën në Toronto, në takimin që nis në orën 21:00.
Përpara sfidës do të zhvillohet ceremonia hapëse si një nga vendet organizatore të turneut, ndërsa në fushë vendasit konsiderohen favoritë. Kanadaja renditet në vendin e 30-të të klasifikimit FIFA, ndërsa Bosnje-Hercegovina mban vendin e 64-t.
Kjo do të jetë ndeshja e parë e Grupit B. Trajneri Jesse Marsch ka në dispozicion disa nga emrat më të njohur të futbollit kanadez, si Jonathan David i Juventusit, Cyle Larin i Southampton, Kone i Sassuolos dhe Buchanan i Villarrealit.
Nga ana tjetër, Bosnje-Hercegovina do të mbështetet te eksperienca e kapitenit Edin Dzeko, i cili në moshën 40-vjeçare vazhdon të jetë pika e referimit për skuadrën. Në përbërje nuk mungojnë as talentet e reja si mbrojtësi i Sassuolos, Muharremovic, i kërkuar nga Interi, si dhe sulmuesi Kerim Alajbegovic i Salzburgut.
Megjithatë, kanadezët janë të vetëdijshëm se përballë kanë një kundërshtar që siguroi kualifikimin në Botëror pasi eliminoi Italinë në fazën “play-off”.
Ndërkohë, në orën 03:00 të mëngjesit me orën shqiptare, do të luhet edhe sfida tjetër e Grupit B mes SHBA-së dhe Paraguajit. Edhe në këtë rast do të zhvillohet një ceremoni hapëse, me SHBA-në që është një prej vendeve organizatore të turneut.
Amerikanët konsiderohen lehtësisht favoritë në letër dhe do të udhëhiqen nga trajneri Maurizio Pochettino, i cili ka në dispozicion lojtarë si Christian Pulisic i Milanit, Weston McKennie i Juventusit, Tillman i Bayer Leverkusenit dhe sulmuesi Folarin Balogun i Monacos.
Paraguaji rikthehet në Kupën e Botës pas 16 vitesh mungesë, me pjesëmarrjen e fundit që daton në Afrikën e Jugut 2010. Dy kombëtaret u përballën së fundmi në një ndeshje miqësore të zhvilluar në nëntor, ku SHBA triumfoi me rezultatin 2-1.
Lini një Përgjigje