Cristiano Ronaldo pati një nga momentet më prekëse të mbrëmjes pas fitores së Portugalisë ndaj Kroacisë në Kupën e Botës. Menjëherë pas përfundimit të takimit, kapiteni portugez u përqafua me Luka Modriç, ish-shokun e tij te Real Madridi, duke i dhënë zemër pas eliminimit të kroatëve.
Pamjet e dy legjendave duke biseduar në fushë bënë xhiron e rrjetit, ndërsa më vonë Ronaldo zbuloi edhe fjalët që i kishte thënë mikut të tij.
“Kam luajtur me të për kaq shumë vite, jemi pothuajse në të njëjtën moshë. Ai është një legjendë e futbollit sepse ende luan shumë mirë dhe me cilësi të lartë. I kam thënë kaq shumë herë urime për gjithçka, më pëlqen të të shoh përsëri, të uroj gjithë të mirat për vitet e ardhshme të karrierës tënde”, deklaroi kapiteni i Portugalisë.
Eliminimi i Kroacisë u shoqërua me emocione të forta për Luka Modriç. Mesfushori u largua nga fusha me lot në sy, i mundur nga zhgënjimi dhe lodhja pas një sfide dramatike, në atë që mund të ketë qenë paraqitja e tij e fundit me fanellën e kombëtares.
Me pesë pjesëmarrje në Kupën e Botës dhe 202 ndeshje me Kroacinë, Modriç mbyll një epokë të jashtëzakonshme, duke udhëhequr një vend me rreth katër milionë banorë drejt elitës së futbollit botëror falë vizionit, cilësisë teknike dhe lidershipit të tij.
Në fund, përqafimi mes Ronaldos dhe Modriçit u kthye në një nga momentet simbol të mbrëmjes, duke dëshmuar respektin e ndërsjellë mes dy futbollistëve që kanë shkruar histori së bashku me fanellën e Real Madridit dhe që vijojnë të konsiderohen ndër figurat më të mëdha të futbollit modern.
Kliko për të parë videon:
Lini një Përgjigje