TAGS-AT E JAVËS

Sport13 Qershor 2026, 13:51

Zvicra e Xhakës nis sonte aventurën në Botëror sonte kundër Katarit; Turqia përballet me Australinë

Shkruar nga Pamfleti
Zvicra e Xhakës nis sonte aventurën në Botëror sonte
Kapiteni i Zvicrës Granit Xhaka

Zvicra e drejtuar në fushë nga kapiteni Granit Xhaka do të debutojë mbrëmjen e sotme në Botërorin 2026, me synimin për ta nisur me fitore rrugëtimin e saj në Grupin B dhe për të marrë kreun e renditjes.

Helvetët do të përballen në orën 21:00, në stadiumin e San Franciscos, me Katarin, një kundërshtar që në letër konsiderohet i kalueshëm. Diferenca mes dy skuadrave reflektohet edhe në renditjen e FIFA-s, ku Zvicra pozicionohet në vendin e 19-të, ndërsa Katari në të 56-in.

Favoritë për sukses konsiderohen edhe nga kompanitë e basteve, të cilat e kuotojnë fitoren e Zvicrës me koeficient rreth 1.20.

Skuadra e Murat Yakin siguroi pjesëmarrjen në Kupën e Botës përmes kualifikueseve, duke prerë biletën direkt nga grupi ku bënte pjesë edhe Kosova. Megjithatë, rezultatet e fundit në ndeshjet miqësore nuk kanë qenë bindëse për helvetët.

Nga ana tjetër, Katari mbështetet te eksperienca e trajnerit Julian Lopetegui, ish-teknik i Spanjës dhe Real Madridit. Kombëtarja aziatike përbëhet kryesisht nga futbollistë që aktivizohen në kampionatin vendas.

Dy skuadrat janë përballur vetëm një herë në histori, në një ndeshje miqësore të fituar nga Katari me rezultatin minimal 1-0.

Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit, në 06:00 me orën shqiptare, debutimin e saj në Botëror do ta bëjë edhe Turqia. Ekipi i drejtuar nga Vincenzo Montella do të sfidojë Australinë në takimin e parë të Grupit D.

Te turqit mbetet në dyshim aktivizimi i talentit të Juventusit, Kenan Yildiz, por pavarësisht kësaj, Turqia konsiderohet favorite për të marrë tri pikët. Në këtë grup bëjnë pjesë gjithashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Paraguaji.

Lini një Përgjigje