TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 5 Maj 2026, 20:25

“Mbreti” i ri i Basteve (ilegale)

Shkruar nga Pamfleti
“Mbreti” i ri i Basteve (ilegale)
Tom Doshi, bastet ilegale/

Bastet ilegale me logo 333, CR7 dhe B3T mbinë në të gjithë Tiranën nën kontrollin e Tom Doshit, i cili përdor të rinj  si karrem për mediat dhe drejtësinë, ndërsa rrethi i tij i afërt qëndron i paprekur. Operacioni "Fati i Lojërave" i prillit 2026 goditi selektivisht, duke lënë të patrazuar rrjetin e Doshit, dosja e të cilit prej muajsh fle në sirtarët e SPAK

Pas eleminimit të Ervis Martinajt, tregu i basteve ilegale në Shqipëri nuk u shkatërrua, por hyri në një fazë të re, shumë më të fragmentuar dhe po aq të dhunshme. Në Tiranë dhe në qytetet kryesore të vendit, si kërpudha pas shiut, filluan të mbijnë pika bastesh me logo misterioze që shumë shpejt do të bëheshin të njohura për këdo që frekuentonte lokalet e kryeqytetit: 333, CR7, B3T. Në pamje të parë, kafene sportive krejt të zakonshme, me ekrane të mëdhenj që transmetonin ndeshje futbolli dhe me klientë që pinin kafe. Në realitet, qendra të mirëfillta bastesh ilegale, të pajisura me platforma online të mbrojtura me VPN të centralizuara, me sisteme pagesash që funksiononin cash ose përmes kriptovalutave, dhe me një zinxhir komandimi që të çonte në një emër të vetëm.

Pas këtij rrjeti, sipas hetimeve të kryera nga gazetarë investigativë dhe të dhënave të grumbulluara nga burime brenda vetë strukturave të rendit, qëndron një emër i njohur i politikës shqiptare, një njeri që për vite me radhë ka lëvizur në hapësirën gri mes pushtetit, krimit dhe biznesit: Tom Doshi.

Trashëgimia e këtij tregu është e shkruar me gjak. Kur në fund të vitit 2018 qeveria shqiptare vendosi të mbyllte bastet sportive, premtimi publik ishte se po shpëtonin familjet shqiptare nga varësia e bixhozit. Por ajo që ndodhi në të vërtetë ishte krejt ndryshe: tregu nuk u mbyll, por thjesht kaloi tërësisht në duart e krimit të organizuar.

Eliminimi i figurës që e mbante tregun të përqendruar hapi rrugën për përplasje të dhunshme mes grupeve kriminale, për gjakderdhje në heshtje, për ndarje territoresh me kallashnikovë dhe për një ekonomi të tërë informale që për tetë vite me radhë nuk ka paguar asnjë taksë dhe nuk ka pasur asnjë llogaridhënie.

Në këtë hapësirë të zbrazët, ku shteti u tërhoq dhe krimi mori kontrollin e plotë, Tom Doshi pa mundësinë për të ndërtuar atë që burimet e përshkruajnë si një perandori të heshtur bastesh, një rrjet që sot shtrihet në të gjithë kryeqytetin dhe përtej tij.

Ajo që e dallon skemën e Tom Doshit nga të tjerat dhe që e bën atë një rast studimor të krimit të organizuar të lidhur me politikën, është mekanizmi i sofistikuar i fshehjes dhe i shmangies së përgjegjësisë.

Tom Doshi nuk menaxhon asgjë vetë. Rrethi i tij i afërt, njerëzit që i kanë qëndruar pranë për vite me radhë, njerëzit që kanë lidhje direkte me të, nuk preken kurrë nga goditjet e organeve të rendit. Ata qëndrojnë në hije, të mbrojtur nga një ombrellë që duket se funksionon pa të meta. Në vend të tyre, në vijën e parë të zjarrit, ekspozohen të rinj.

Këta të rinj, të përzgjedhur me kujdes nga një rreth i gjerë bashkëpunëtorësh, janë fytyra që shihen, emrat që përmenden, personat që regjistrojnë lokalet dhe që menaxhojnë pikat e basteve në terren. Ata nuk kanë pasuri të deklaruara që të bien në sy. Janë të padukshëm në dokumente, por shumë të dukshëm në terren, dhe kjo është pikërisht ajo që Doshi kërkon. Ata janë karremi perfekt: mjaftueshëm të ekspozuar për të tërhequr vëmendjen e mediave dhe të organeve të rendit, mjaftueshëm të zëvendësueshëm për të mos lënë boshllëk kur bien.

Ushqehen me iluzione. U premtohet karrierë, fuqi, para të shpejta dhe një vend në një botë që normalisht do t'u mbetej e mbyllur. Disa prej tyre vijnë nga lagje të varfra të kryeqytetit, të tjerë nga qytete të vogla në Veri të vendit ku mundësitë janë të pakta.

Doshi dhe rrethi i tij u ofrojnë atyre atë që duket si një shkallë e shpejtë drejt suksesit: lokale të gatshme, platforma bastesh të montuara, mbrojtje dhe një rrjet të tërë që i mbështet. Ata bëhen menaxherë "të suksesshëm", siç u referohen njerëzit e Doshit kur flasin për ta në biseda private. Por suksesi i tyre është një flluskë që shpërthen në momentin e parë që organet e rendit (jo ato që i tremben Tom Doshit) trokasin në derë.

Kur vijnë goditjet, dhe ato vijnë herë pas here për të prodhuar statistika dhe për të qetësuar opinionin publik, bien pikërisht këta të rinj. Janë ata që arrestohen. Janë ata që dalin në fotografitë e policisë. Janë ata që përmenden në njoftimet zyrtare për shtyp. Mediat shkruajnë për ta, opinioni publik indinjohet për ta, drejtësia procedon për ta. Dhe ndërkohë, ndërsa këta të rinj përballen me pasojat ligjore, rrethi i afërt i Tom Doshit vazhdon i patrazuar. Askush prej tyre nuk preket. Askush prej tyre nuk përmendet. Skema mbetet e paprekur dhe lokalet, pas pak kohe, mund të rihapen me menaxherë të rinj, po aq të rinj, po aq të padukshëm në letra, po aq të ekspozuar në terren.

Ky është thelbi i mekanizmit që Tom Doshi ka ndërtuar: një cikël i pafundmë ku të rinj shërbejnë si mburojë, si karrem për mediat dhe organet e drejtësisë, ndërsa bosët e vërtetë qëndrojnë në hije dhe vazhdojnë të mbledhin ''mbetjet''. Dhe fitimet janë marramendëse. Sipas të dhënave nga hetimet, vetëm nga bastet pa licencë, buxheti i shtetit ka humbur rreth 500 milionë euro në tetë vite, një shifër që përfaqëson taksa të papaguara, para që kanë përfunduar në xhepat e bosëve të krimit, në kulla luksoze në kryeqytet, në rezidenca bregdetare dhe në financimin e fushatave elektorale.

Sepse bastet nuk kanë ushqyer vetëm krimin, por edhe politikën. Hetimet e SPAK dhe BKH-së kanë zbuluar se gjatë fushatave zgjedhore, rrjeti i basteve ilegale shndërrohet në një "ATM" të mirëfilltë për blerjen e votave. Paratë mblidhen çdo muaj nga dhjetëra pika të shpërndara në kryeqytet, futen në "çanta të zeza" dhe udhëtojnë drejt bosëve që rrinë në hije. Një pjesë e këtyre parave rishpërndahet për të blerë vota në zonat e varfra, për të paguar lista personash që sigurojnë vota në ditën e zgjedhjeve, për të financuar një makineri elektorale që funksionon me para të pista. Sekuestrimi i telefonit të shoferit personal të Tom Doshit, një person që dyshohet se shërbente si korrier mes tij dhe njerëzve të terrenit në elektoratin e veriut, pritet të japë prova kyçe për këtë lidhje të drejtpërdrejtë mes basteve ilegale dhe blerjes së votave.

Operacioni selektiv "Fati i Lojërave"

Në prill, Policia e Shtetit nisi operacionin e shumëpërfolur "Fati i Lojërave", një seri goditjesh që prekën disa qarqe të vendit. U arrestuan persona, u sekuestruan pajisje kompjuterike, tavolina pokeri dhe makineta lojërash fati, u shpallën në kërkim të tjerë. Në pamje të jashtme, një sukses i madh në luftën kundër basteve ilegale. Por një vështrim më i kujdesshëm zbulon se goditjet ishin selektive. U godit njëri grup, ndërsa tjetri mbeti plotësisht i paprekur. Rrjeti i Tom Doshit, me logot e tij karakteristike B3T, 333 vazhdoi të funksiononte njësoj si më parë, sikur operacioni "Fati i Lojërave" të mos kishte ndodhur kurrë. Disa nga pikat e këtij rrjeti ndodhen fare pranë komisariateve të policisë në kryeqytet. Të dukshme për këdo, të njohura për banorët e zonës, por kurrë të prekura nga uniformat blu.

Ndërkohë, dosja e plotë për këtë rrjet ndodhet në SPAK. Ajo përmban denoncime të brendshme nga vetë njerëz që kanë qenë pjesë e skemës, foto skedinash bastesh, pamje nga brenda ambienteve ku zhvilloheshin bastet, dhe një sërë provash të tjera që, sipas burimeve, janë më se të mjaftueshme për të nisur një hetim serioz.

Por dosja, thonë burimet pranë SPAK, "fle në sirtar" prej muajsh, në pritje të një shkëndije që nuk vjen kurrë, në pritje që dikush të vendosë ta marrë në dorë dhe ta çojë deri në fund. Mungesa e lëvizjes mbi këtë dosje, ndërkohë që të rinjtë vazhdojnë të bien njëri pas tjetrit si karrem, është tallja e madhe që i bëhet sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Dhe teksa drejtësia heziton, paratë e basteve vazhdojnë të marrin rrugën e betonit. Kantieret e ndërtimit kanë shpërthyer në të gjithë Tiranën dhe bregdetin. Kulla luksoze, rezidenca, hotele dhe komplekse banimi ngrihen me shpejtësi marramendëse.

Kompani të reja, të sapokrijuara, marrin leje ndërtimi në kohë rekord. Në dokumente dalin emra që nuk thonë asgjë, prestanomë dhe të afërm që shërbejnë si mburojë ligjore. Por pas këtyre emrave qëndrojnë të njëjtët personazhe që kontrollojnë bastet.

Paratë e pista hyjnë në kompani, kthehen në beton, dalin në shitje apartamentesh dhe në fund të zinxhirit janë pastruar në mënyrë të përkryer. Një prej këtyre projekteve, një kullë 36-katëshe e njohur si "Tailor of Tirana", po ngrihet jo shume larg me SPAK, një distancë simbolike që duket se tallet hapur me drejtësinë.

Pas tetë vitesh kaos, gjakderdhjeje dhe miliarda eurosh të humbura nga buxheti i shtetit, qeveria ka vendosur që tani është momenti për të "rregulluar" tregun e basteve. Këshilli i Ministrave ka miratuar aktet nënligjore për rihapjen e basteve sportive online, me premtime për platforma të centralizuara, identifikim të lojtarëve dhe monitorim të transaksioneve në kohë reale.

Por pyetjet që shtrohen janë të shumta.

Pse u deshën tetë vite që shteti të reagonte, tetë vite gjatë të cilave u vranë njerëz për kontrollin e tregut, po ngrihen kulla me para të pista dhe u konsolidua një rrjet ilegal në duart e krimit dhe politikës?

Dhe më e rëndësishmja: kur tregu të hapet zyrtarisht, kush do të marrë licencat e para?

Ata që e mbajtën tregun peng për tetë vite, ata që ndërtuan perandori të heshtura ndërsa shteti shikonte nga ana tjetër, apo të tjerë që kanë pritur në radhë duke respektuar rregullat?

Sot, betoni vazhdon të ngrihet. Dosja fle në sirtarët e SPAK. Rrjeti i Tom Doshit, me logot e tij B3T, 333 dhe CR7, vazhdon të funksionojë i patrazuar. Dhe diku, në ndonjë lokal të maskuar si kafene sportive, një i ri, që është i padukshëm në letra, por shumë i dukshëm në terren, pret të bjerë i pari. Sepse kështu funksionon skema: të rinjtë bien, bosët qëndrojnë, dhe betoni vazhdon të ngrihet. /Pamfleti

Ky artikull është ekskluziv i Pamfleti, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Pamfleti dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

mbreti i ri i basteve tom doshi

3 Komente

  1. A
    Alushi

    Te lumt pena Pamflet qe e diskredido ket batakcin Tom Doshi qe ka be zap gjithe shtetin dhe spakun qe sguxo me e hetu. ky eshte per ti hedh hekrat e ti bej shoqni like florinit po ska burra ketu. Cudia eshte se dhe spak eshte karkalec para trafikantit e te korrpumit Tom Doshi, qe eshteshpall non grata nga shba e australia e kerko per me arrestu si trafikant droge.

    1. A
      Aliko

      Pamfleti minier ari per spak bravo bravo bravo

      1. B
        Babo

        Para laci????????????

        Lini një Përgjigje