TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë11 Shkurt 2026, 16:40

Pse Sali Berisha nuk vendosi ngujimin përpara kryeministrisë?

Shkruar nga Pamfleti
Pse Sali Berisha nuk vendosi ngujimin përpara kryeministrisë?
Sali Berisha /

Protestat e përshkallëzuara nuk synojnë rrëzimin e Ramës, por rikthimin e Berishës në tryezën e ndërkombëtarëve si faktor politik...

Retorika e ashpër dhe protestat me molotovë nuk janë thjesht përballje me qeverinë, por sinjal politik ndaj SHBA-së dhe BE-së. Sali Berisha nuk kërkon përmbysje radikale, por një kanal komunikimi dhe rikthim si aktor i domosdoshëm në negociatat ndërkombëtare. Ai shmang protestën çadër apo përshkallëzimin total, sepse nuk synon rrugën pa kthim, por uljen në tryezë si faktor. Ndërkohë, kancelaritë perëndimore duket se po kërkojnë një alternativë tjetër opozitare, duke e lënë Berishën mes rolit të aktorit dhe ambicies për t’u bërë faktor.

Përpara mbajtjes së protestës së të martës së dytë të shkurtit, u përhapën fjalë se do të kishte një moskthim të protestuesve të opozitës. Filluan të diskutoheshin forma të ndryshme, nga çadra e vitit 2017 te greva e urisë, apo edhe metoda të tjera radikale.

Në realitet, asgjë nga këto nuk ndodhi, përveç një përshkallëzimi të ashpër me lëndë piroteknike. Debati nga mbrëmë deri më sot është përqendruar tek fakti se sa do të dënohet dhuna nga mazhoranca dhe sa opozita do të rrisë dozat e përshkallëzimit.

Asnjë fjalë për planin e një proteste që mund të çojë në një fazë tjetër marrëdhëniet mes palëve politike në vend.

Sali Berisha nuk e ka fare problem të nisë një protestë çadre, domethënë një ngujim si ai që bëri Adriatik Lapaj për një muaj. Dhe Berisha i ka mundësitë dhe strukturat për ta bërë këtë protestë më aktive dhe më reaktive, në një ‘reality show’ viral në televizione dhe rrjete sociale.

Por Berisha nuk e merr këtë hap, pasi në realitet nuk e ka problem një negociatë me Edi Ramën, çka do ta detyronte këtë të fundit përmes një proteste radikale. Më shumë sesa me Ramën, Berisha kërkon një kanal komunikimi me ndërkombëtarët.

Deri tani, SHBA dhe BE, të cilat lëvizin përmes SPAK-ut, kanë koordinuar me opozitën në lidhje me denoncimet dhe materialet e depozituara në prokurorinë e posaçme. Por ky aksion ka anashkaluar Sali Berishën dhe nuk i ka ndalur telashet e tij penale. Edhe pse doktori ka kanale të rëndësishme ndikimi, kryesisht në Athinë, siç është rasti i Irena Gjokës.

Ndërkombëtarët e kanë anashkaluar kreun e PD-së, ndaj ky i fundit kërkon t’u bëjë të ditur se nuk ka negociatë me opozitën pa kaluar në zyrën e tij. Për këtë arsye, axhenda e tij do të jetë e ashpër dhe e paparashikueshme.

Në fakt, aq e paparashikueshme nuk është. Berisha di të ruajë limitet për të mos u konsideruar jashtë vijave të kuqe. Një ngujim i tij në çadër apo një formë tjetër radikale do ta kthente negocimin në kushtet se si të dalë prej andej. Por Berisha nuk e do këtë lloj negocimi; ai kërkon të ulet në tavolinë, ashtu si rivali i tij Edi Rama ulet me ndërkombëtarët.

Më pas, doktori e ka treguar se është fleksibël aq sa duhet, ose intransigjent aq sa të paraqitet si faktor.

Protestat me molotovë janë një kod me të cilin Sali Berisha nuk flet me Edi Ramën, por me ndërkombëtarët, përkatësisht me SHBA-në në lidhje me Non Grata-n, si dhe me Gjermaninë, e cila e ka injoruar edhe më keq.

Berisha po synon me këtë lojë të tij të dhunës të ndalojë çdo faktor opozitar që të negociojë në emër të tij, të PD-së apo edhe të partive të tjera opozitare.

Sali Berisha po shfaqet si një piroman që është gati të djegë deri në momentin kur t’i kërkohet të jetë zjarrfikësi, dhe në atë moment ai do ta bëjë menjëherë dhe në mënyrë shembullore.

Deri tani, askush nuk e konsideron faktor Sali Berishën, edhe pse ai është realisht personazhi me më shumë influencë. Por relevanca e tij nuk ka peshën e nevojshme për ta kaluar nga statusi i aktorit në atë të faktorit.

A mund të ndodhë kjo? Ka ndodhur disa herë në histori. Por tani duket se kancelaritë perëndimore nuk duan t’ia japin këtë mundësi, me të cilën ai e ka djegur vendin disa herë.

Ato thjesht po kërkojnë, me durim, një anti-Rama brenda opozitës, në SPAK apo edhe në pjesë të tjera të shoqërisë./Pamfleti

 

sali berisha ngujimi para kryeministrisë piromani zjarrëfikësi

1 Komente

  1. A
    Argjita Dhipi

    si gjithmone,

    Lini një Përgjigje