
Ku janë harxhuar paratë e USAID-it në Shqipëri dhe për çfarë janë përdorur?
Përdorimi i debatit amerikan në Tiranë, duket qartë se bëhet nga njerëz afër Sali Berishës. Të cilët e kanë një synim të caktuar; për të bërë pis politikën e lartë amerikane, e për të çuar ujë në mullirin e Doktorit, si për të thënë se edhe për Non- Grata’n ja kanë futur kot.
Debati mbi USAID është një mekanizëm i brendshëm amerikan, janë para të qeverisë federale amerikane, e në këtë rast kur hyn në lojë edhe fshati ynë, duket si pa lidhje.
Megjithatë, meqë u nis kjo mesele, ja vlen të flitet për paratë që USAID ka përdorur në Shqipëri gjithë këto vite. Sepse në fund të fundit, ‘fjala mort nuk bën’.
E meqë jemi në këtë diskutim, ku janë harxhuar paratë e USAID-it në Shqipëri dhe për çfarë janë përdorur?
Vjen pyetja krejt spontane.
Për këtë ka mjaft teori konspirative, ku natyrisht ka edhe të vërteta dhe dyshime, dhe si gjithmonë përdoret emri i “armikut” në këtë rast që është Soros. Armiku i Trump bëhet fjalë.
US AID është literalisht ndihma e SHBA për vendet e tjera. Këto fonde i ka menaxhuar ministria e Jashtme apo Departamenti i Shtetit. US AID në Europë mbetet ikonike në thasët e miellit e të grurit, ku ishte stampuar logoja që i shkonte vendeve europiane pas Luftës së Dytë Botërore me planin Marshall.
Në Shqipëri, USAID pas rënies së komunizmit, nisi krejt ndryshe. Amerika nuk solli vaj sheqer, miell, biskota e çokollata, siç sollën vendet evropiane apo Turqia e arabët; as hurma arabie e tespie pa fund, por ndoqi një politikë ndryshe.
Politikë që kishte logjikën kapitaliste, që të mësohet si të zihet peshku, e jo t’i sillet peshku i gatshëm.
Në fillimet e vitit 1990, USAID u përqëndrua me ndihmën e njohur për fermerët, në ngritjen e trusteve ekonomike lokale, që kishin lidhje me aktorë amerikanë.
Në fillim nisi IFDC, një trust fermerësh, të cilët nëpërmjet një ndihme amerikane përdorën metodat shkencore për bujqësinë, që nga farat dhe pesticidet përtej oqeanit për të riaktivizuar bujqësinë shqiptare.
E cila ndryshe nga ajo Perëndimore nuk ishte aq e zhvilluar në rendiment, por e planifikuar nga shteti, përkatësisht nuk kishte një logjikë tregu.
Megjithatë, duhet thënë, se edhe pse ideja ishte në thelb kapitaliste dhe me logjikë për të bërë fermerin shqiptar një prodhues të fortë, ai program nuk pati sukses. Kjo sipas të gjitha gjasave jo për faj të ideve amerikane, të cilat ishin të provuara në terren si të suksesshme, por për shkak të problemit të pronësisë që nuk u zgjidh kurrë tek ne, apo edhe mungesës së një strategjie për zhvillimin bujqësor.
Pati disa ferma që aplikuan planet amerikane dhe ndihmat, disa patën sukses në prodhime, madje, duke dalë edhe në eksport. Por ishte shumë pak për të riaktivizuar një sektor bazik, siç u nis.
Më pas ndihma amerikane u orientua në një terren më konkret, atë të shërbimeve. Kështu u krijua Fondi Amerikano- Shqiptar i Ndërmarrjeve dhe Banka Amerikane e Shqipërisë, një biznes i suksesshëm, që krijoi një trust investimesh, edhe sot aktive.
Kjo nismë u ngrit nga Presidenti Bill Clinton, pasi ai krijoi bashkë me Romano Prodin grupin ‘Miqtë e Shqipërisë’, pas vitit të tmerrshëm 1997.
Ndërkaq, USAID ka qenë aktive në vite për organizata, shoqata e grupime civile në territor për aktivizëm dhe veprimtari qytetare.
Por nga viti 2012, ka pasur një rritje të financimeve për ata që quhen minoritete gjinore në Shqipëri. Komunitetin LGBT por, si dhe grupe të margjinalizuara që dikur ishin të persekutuara sepse veprimtarinë e tyre e ndiqnin në gropën e Hajdin Sejdisë pas Pallatit të Kulturës.
Për pak vite, këta njerëz të margjinalizuar arritën të dalin hapur në identitetin e tyre, e falë mbështetjes, u larguan nga gropa, e ndoshta kjo ishte një e mirë.
Megjithatë USAID ka hedhur mjaft fonde për media, ka financuar të ashtuquajturin “laboratori i gazetarisë cilësore”, ku gazetarët e reporterët e rinj mund të bënin reportazhe e kronika investigative. Drejtues të projektit përveç drejtuesve mediatikë në ambasadës së SHBA kanë qenë Lutfi Dervishi, Artan Hoxha, Bledar Zaganjori etj. Të cilët si bord kanë dhënë edhe financime për nisma të reja mediatike në kuadrin e raportimit. Këto mund të kenë rezultuar si nisma të mira e të reja të raportimit të pavarur, por a kanë qenë efektiv? Në lexueshmëri bëhet fjala. Kjo duket nuk është matur. Megjithatë, bllokimi i fondeve, nuk është një gjë e vogël. Në Kosovë, USAID ka investuar 2 miliardë dollarë që nga viti 1999.
Ky pezullim tremujor natyrisht që ka një problem për organizatat që u janë ndërprerë fondet, e ku ka edhe pjesë të rëndësishme siç mund të jenë mjaft probleme trajnimi e akomodimi apo edhe pagesa për konsulentët e SPAK. Por kjo është e përkohshme. Pyetja është çfarë ka sjellë pozitive ndihma e USAID në Shqipëri dhe Kosovë? Kjo padyshim që duhet të analizohet dhe të mos lihet në dorën e disa pashallarëve lokalë gjysmëdiplomatikë që duket nuk kanë qullosur gjë./Pamfleti
Lini një Përgjigje