Nëse Teherani vendos të mbyllë ngushticën strategjike nga ku kalon një e pesta e naftës së botës, tregjet e energjisë mund të futen në një krizë të re, ndërsa SHBA dhe aleatët përballen me një presion ekonomik të paprecedentë...
Ngushtica e Hormuzit është vetëm një vijë e hollë në hartë, por në realitet është një nga nervat kryesorë të ekonomisë globale. Çdo ditë, përmes kësaj rruge të ngushtë detare mes Iranit dhe Omanit kalojnë rreth 20 milionë fuçi naftë dhe një pjesë e madhe e gazit të lëngshëm që furnizon tregjet aziatike dhe europiane. Kjo do të thotë se rreth një e pesta e energjisë që konsumon bota kalon përmes këtij korridori detar. Dhe pikërisht këtë pikë nevralgjike Teherani e konsideron armën e tij më të fortë përballë presionit të Perëndimit.
Sa herë tensionet rriten mes Iranit dhe SHBA-së apo Izraelit, në skenë del menjëherë kërcënimi i njohur: mbyllja e Hormuzit.
Për Iranin, kjo nuk është thjesht retorikë. Garda Revolucionare ka investuar prej vitesh në një strategji detare që përfshin raketa bregdetare, mina detare, dronë dhe flotë të vogël anijesh të shpejta të afta për të goditur tankerët e naftës. Nuk duhet një luftë klasike për të paralizuar këtë korridor energjetik; mjafton rritja e rrezikut për transportin detar që kompanitë dhe siguruesit të tërhiqen, duke bllokuar praktikisht trafikun.
Në një skenar të tillë, efekti domino do të ishte i menjëhershëm. Arabia Saudite, Iraku, Kuvajti, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe eksportojnë pjesën më të madhe të energjisë së tyre përmes Hormuzit. Nëse ky kanal mbyllet, miliona fuçi naftë në ditë zhduken nga tregu global brenda pak orësh. Çmimet e energjisë do të shpërthenin dhe inflacioni që ende rëndon ekonomitë perëndimore do të merrte një goditje të re. Për ekonomitë industriale të Europës dhe për ekonomitë gjigante të Azisë, kjo do të ishte një krizë e menjëhershme furnizimi.
Kjo është arsyeja pse Hormuzi konsiderohet një nga “pikat e mbytjes” më strategjike në planet. Ai është një korridor që nuk mund të zëvendësohet lehtë. Disa tubacione alternative ekzistojnë, por kapaciteti i tyre është shumë më i vogël se volumi që kalon çdo ditë përmes kësaj ngushtice. Me fjalë të tjera, nëse Hormuzi bllokohet seriozisht, bota nuk ka një plan B të shpejtë.
Nga këndvështrimi iranian, kjo është karta që barazon disbalancën ushtarake me Perëndimin. SHBA mund të ketë epërsi të qartë në ajër dhe në det, por Irani ka një mënyrë për të krijuar një krizë globale që do të godiste drejtpërdrejt ekonomitë e vendeve që e sfidojnë. Duke kërcënuar furnizimin global me energji, Teherani dërgon një mesazh të thjeshtë: çdo përshkallëzim ushtarak kundër Iranit do të ketë një çmim që do ta paguajë e gjithë bota.
Megjithatë, edhe kjo armë ka kufijtë e saj. Një bllokadë e gjatë e Hormuzit do të godiste edhe vetë Iranin, i cili gjithashtu eksporton naftë përmes të njëjtës rrugë dhe mbështetet në këto të ardhura për ekonominë e tij të brishtë. Kjo është arsyeja pse shumë analistë e shohin kërcënimin më shumë si një instrument presioni sesa si një strategji që mund të zbatohet për një kohë të gjatë.
Por edhe si kërcënim, Hormuzi mbetet një faktor destabilizues i jashtëzakonshëm. Sa herë që tensionet në Lindjen e Mesme përshkallëzohen, tregjet globale reagojnë menjëherë. Investitorët, qeveritë dhe kompanitë energjetike e dinë se një incident i vetëm në këtë ngushticë mund të tronditë ekonominë botërore brenda pak ditësh.
Në këtë lojë nervash mes Teheranit dhe Perëndimit, Hormuzi nuk është thjesht një rrugë detare. Ai është leva gjeopolitike që i jep Iranit fuqinë për të kërcënuar zemrën e sistemit energjetik global. Dhe për sa kohë që kjo ngushticë mbetet e ekspozuar ndaj tensioneve, tregjet e energjisë do të jetojnë gjithmonë me frikën se një krizë e re mund të shpërthejë nga një nga pikat më të vogla, por më strategjike të planetit./Pamfleti
Lini një Përgjigje