Nuk ka vlerë as arroganca, as mëshira, as i gjalli i qeverisë, as i vdekuri i opozitës. Jemi në “stinën” model kroat...
Shkruan Sokol Pepushaj
Erdhi koha e arrestimeve VIP. Asnjë “Garip” nuk kapardiset më si i ”forti” i lagjes. Të gjithë e mbajnë kokën pas, se mos i ndjek ambasadorja amerikane Yuri Kim. Kalendari i Olta Xhaçkës për largim me komandë nga Babloku të diplomates, është vjetruar, sa asnjë antiamerikan nuk e lexon më.
Misioni i nisur nga ambasadori Donal Lu do përfundojë me modelin kroat; të fortëve u bëhen ca pyetje të lehta, u merren gjërat e tepërta dhe përcillen për tek dyert e drejtësisë.
Nuk ka më “gjigandë” që trembin me hijen e tyre.
Ja, ai grushti i fortë i Ilir Metës tek “hunda” e ambasadores Yuri Kim, është bërë gisht i dobët mbi “hartën” e zgjedhjeve vendore.
Asnjë pëllëmbë e këtij vendi nuk kanë ngelë pa e “kullotur” këta që sillen si barinj të mirë me votuesit dhe si “zagarë” të çmendur me amerikanët që i fusin “hundët” në punët e brendshme të hajdutëve.
Ilir Meta, sot ka marrë një “stol” me vete dhe sa here takon njerëz në bulevard, hipën mbi të e mban fjalime kundër hajdutëve, të korruptuarve e krimineleve.
Stoli është më funksional se skena.
Edhe burgu, tek e fundit, më mirë se vetëvrasja është. Si ashtu, si kështu, fshatarët e kanë gati batutën, “shkoi si qeni në rrush”.
Nga stoli që e vendos lehtë para Parlamentit, SPAK-ut, ambasadës amerikane a kudo, e rrëzon edhe pesë herë në ditë qeverinë e Edi Ramës dhe në fund është gjallë.
Nga aty, ku e rrethojnë vetëm mikrofonët e televizioneve, mund të flasë pa “përplasje” kundër hajdutëve, edhe pse ka vjedhur tërë jetën, mund t’i shpartallojë bandat kriminale dhe të piskatë “zagarët” e çoroditur.
Në fakt, këtyre fshatrave, qentë dhe njerëzit nuk kanë pasur kurrë konflikte, prandaj i mbajnë secili, e ja lëshojnë njëri-tjetrit, edhe për sport.
Këtej, njerëzia nuk shqetësohet fare. Secili e di se sa herë qeni gërmon në dhe, ose kërkon diçka, ose fsheh diçka.
Këtu nis e bitis fabula me qen...
Bëjnë zhurmë para mikrofonëve, e kalojnë sikur s’ka ndodhur gjë për ndonjë kafshim, por mbrojnë pasuritë.
Edhe dorëheqja nga vetëvrasja e ish Presidentit Ilir Meta ose Metaj, lidhet me atë shprehjen e njohur tonën: “shkoi si qeni në rrush”. Nuk bëjnë përshtypje as vrasjet, as vetëvrasjet.
E ka provuar njëherë një ish kryeministër dhe kot i shkoi.
Në pamje të parë, ngjante skandal i madh, por u kalua me një gjysmë lajmi. Asnjë fjalë nuk u tha për kryeministrin që më 18 dhjetor 1981 vrau veten, por thjeshtë për Mehmet Shehun, tradhtar i Enver Hoxhës, poliagjent i Sigurimit të Shtetit të Bashkimit Sovjetik (KGB) që iku “si qeni në rrush”.
Edhe sot, në çdo lajm kemi Kinën, Rusinë, “zagarët” e Mafies, prandaj të gjithë e dinë se ç’duhet e ç’nuk duhet bërë. Për qentë, meqë kemi kaq shumë nëpër këmbë, duhet t’ju kujtojmë se rrushi është po aq i dëmshëm sa korrupsioni për zyrtarët.
Korrupsioni u ka ngel në fyt hajdutëve.
Kur prekte fytin ambasadori Donald Lu dhe kujdesej për inventar peshqish, Ilir Meta me shokë fërkonin barkun e tundnin grushtin si fitimtarë që kishin arritur të blejnë deri shefin e FBI-së së New Yorkut. Kishin hyrë në “bahçe” të huaj.
Në pasuritë publike, nuk mund të themi se nuk kanë prekur Meta, Berisha, Rama, Nano, e deri tek Aleksandër Meksi, që është bërë alfa e mega korrupsionit gjithandej, në rrugë, në ujë, në ajër e media.
Prandaj po shkojnë “si qeni në rrush”, se janë shtrirë e nuk ngrihen kurrë më, se kanë pësuar ndryshime metabolike e siklet, se ju është shkatërruar sistemi imunitar përballë ambasadores Yuri Kim. Sa herë ju shfaqet në konferenca shtypi apo përballë, ju ngjan idhnake dhe betohen se, ose do ta mundin Amerikën, ose do vrasin veten, por sa zgjohen nga “gjumi”, e kanë frikë vdekjen.
Kur betohej ish Presidenti për vetëvrasje, të ngjan një legjendë e largët.
Sot që erdhi dita ta tregojnë trimërinë, pra ora e drejtësisë, e kanë kuptuar se si të vrasin veten, si të zvarriten drejt burgut, njëlloj është.
Pra, mos pritni trimëri nga ato të Mehmet Shehut apo kurajë si të ish Presidenti të Kilit Salvador Allende.
Nuk ka vlerë as arroganca, as mëshira, as i gjalli i qeverisë, as i vdekuri i opozitës. Jemi në “stinën” model kroat.
Fundi i “Peshqve” erdhi: Ilir Meta iku si qeni në rrush./Pamfleti
Lini një Përgjigje