Mafia vendos rregullat, shteti numëron viktimat...

Masakra që ndodhi sot në Shkodër sot, ishte një rrëmujë e vërtetë. Dikush që kërkonte të vriste Erogen Brajoviçin, mund ta kishte bërë në shumë mënyra. Pa sjellë atë tmerr që ndodhi sot. Mund ta bënte me lëndë eksplozive apo me goditje snjaperi, tradhëti a gjëra të tjera që në Shkodër kanë ndodhur shpesh në përplasjen mes bandave.
Siç duket, ai që donte të vriste Erogen Brajoviçin kërkonte të bënte një masakër publike, dhe mesazhin ta dërgonte në një tjetër vend.
Zgjedhja e një personi që nuk kishte lidhje me profesionistët e vrasjeve, duket nuk ka qenë e rastësishme. Ai që e ka hartuar planin nuk ka dashur vrasje, prandaj ka gjetur një ‘pemëthyem’ si Ragip Gila, që ka vrarë personazhet që nuk kanë lidhje me objektivin. Të dhënat e para flasin se Ragip Gila është ngarkuar me misionin e tij, më pak se 30 minuta para ngjarjes.
Ajo që ka ndodhur sot në Shkodër nuk është një vrasje as për hakmarrje, as për pazare e as për motive të dobëta. Është një akt terrorist i pastër, i ndërmarrë kundrejt një organizate terroriste. Siç është pushteti në fuqi i Edi Ramës.
I cili ka ndihmuar, përdorur, fuqizuar të gjithë grupet kriminale më të frikshme në Shkodër.
Përveç të ndjerit Armando Pali, të gjithë personat e përfshirë në përplasjen e sotme ishin në listat e policisë dhe drejtësisë. Që nga autori i asaj masakre, që më pas ka shkaktuar dramë pas drame nëpër qytet. Dhe policia e ka kapur pikërisht kur ka bërë nja 5 aksidente.
Masakra e Shkodrës ishte e paralajmëruar, sepse policia asnjëherë nuk i ka mbajtur larg elementët apo subjektet që mund të kryejnë të tilla tragjedi. Sepse policisë i ka mbërritur telefoni që nuk duhet të mbushen letrat për prokurori.
Ndaj janë liruar të gjithë personazhet, që nëse nuk do të ishin te lokali “Idromeno”, sot Shkodra do të ishte një qytet i qetë.
Pas masakrës së sotme, nuk duhet të kishte një heshtje të tillë, por duhet të ishte shkrirë e gjithë struktura e policisë, e cila e ka ditur të gjithë skemën e përplasjes dhe e ka lënë të lirë.
Shkodra dihet se është një zonë problematike në aspektin kriminal, të cilin qeveria e mbulon duke ndryshuar emrat e oficerëve, e jo duke hartuar një strategji sulmuese ndaj krimit. Pasi siç doli edhe nga ngjarja, si viktima, ashtu edhe sulmuesi janë pjesë e strukturës së pushtetit.
Shkodra duhet të jetë si Siçilia pas tragjedisë së Capaci, të komisionohet nga ushtria apo forcat speciale dhe trupat vendore të policisë të shkrihen, e ndoshta edhe të penalizohen përfundimisht./Pamfleti
Lini një Përgjigje