Cilat janë qarqet që u leverdis kjo status’quo në Shqipëri?
Ka dështuar për procedurë konfirmimi i ambasadorit të ri të SHBA në Tiranë, David Kostelancik.
Senati, ka publikuar një shkresë, ku thekson se është djegur afati kohor për të vulosur konfirmimin e diplomatit që Presidenti Biden kishte dekretuar si ambasador me fuqi të plotë në Shqipëri.
Senati, as nuk e ka refuzuar, por as nuk e ka konfirmuar, kështu që do të duhet që o Biden ta risjellë edhe njëherë procedurialisht në Senat para 20 janarit, ose Trump ta bëjë këtë pas 20 janarit, dhe në mos, të emërojë një ambasador të ri.
Nëse ndodh kjo, pra emërimi i një ambasadori të ri, atëherë procedurat e konfirmimit nga senati, akreditimit dhe ardhjes do të zgjaten edhe më tepër.
Një ish-diplomat i njohur i tha ‘Pamfleti’-t, se i duket mjaft e çuditshme kjo vonesë e ardhjes së ambasadorit, kur në realitet nuk ka pasur asnjë kundërshtim ndaj tij nga republikanët, që janë rivalë politikë të Presidentit Biden.
Sipas diplomatit, vjen era që duket ka një lobim të rëndësishëm për ta krijuar këtë situatë.
Lobimi, nuk ka si mos të vijë nga Tirana, ku ka qarqe të forta dhe të rëndësishme, të cilave i vyen që ambasada amerikane të mos ketë një “bos”(shef) me fuqi të plotë.
Edhe pse ambasada e SHBA në Shqipëri drejtohet nga një e ngarkuar me punë, ky rang diplomati nuk e ka fuqinë e një ambasadori që dekretohet nga Presidenti dhe vuloset nga Senati.
Vula që i japin ambasadorit, fuqinë krejt të njëjtë të një ministri apo Sekretari të administratës amerikane.
Cilat janë qarqet që i leverdis kjo status’quo në Tiranë? I pari është Edi Rama, si dhe i “dashuri-armik” i tij Sali Berisha.
Ndërkohë, që të gjithë pjesët e tjera të politikës, sidomos partitë e reja, opozita anti-Berishë, por edhe qarqe politike brenda PS-së që janë të kërcënuara nga Edi Rama, do të ndjeheshin më të mbrojtur dhe më të sigurt me pranimin e një ambasadori amerikan fuqiplotë.
Pasi, siç ka ndodhur gjithmonë, ambasadori amerikan, mban një lidhje energjike me elementë të ndryshëm politik dhe ushqen zëra që janë gjithnjë e më diferentë, madje edhe kritik ndaj pushtetarëve të fuqishëm.
Kështu ka ndodhur edhe herën e fundit me ambasadoren Yuri Kim, e cila u përplas fort me Edi Ramën dhe Sali Berishën, ndërkohë që ka mbajtur marrëdhënie me pjesë të tjera të politikës, madje ka nxitur krijimin e partive të reja me zëra të ndryshëm.
Dikush mund ta quajë një tepri, madje edhe budallallëk që nga Tirana të ndikojnë për të vonuar ambasadorin. Por ish-diplomati i tha ‘Pamfleti’-t, që kjo gjë, pra ndikimi nuk është e vështirë të ndodhë. Sidomos për qarqe politike që zotërojnë apo arrijnë të sigurojnë sasi të mëdha parash. Që përdoren për të lobuar në senat. Duhen vetëm 1-2 senatorë që procedura e konfirmimit të një ambasadori të bllokohet. Kjo ka ndodhur edhe në të shkuarën, praktikisht në 2019-n, para emërimit të Yuri Kim, kur Senati rrëzoi Anna Kavalec, ambasadoren e pare, e dekretuar nga Trump për në Tiranë.
Ka zëra, madje konsinstentë që thanë që ka pasur lobim nga Tirana për bllokimin e Kavalec. Ku të akuzuarit kryesorë janë Sali Berisha dhe Ilir Meta, interesi i të cilëve ishte që të vonohej sa më shumë instalimi i reformës në Drejtësi. Por, siç dihet, ata ranë nga shiu në Breshër, pasi Donald Trump dekretoi menjëherë shefen e kabinetit të Antony Blinken, atëherë numri dy i DASH. Përkatësisht ambasadoren Yuri Kim. Madje edhe Non- Grata e Berishës, ka shumë gjasa që të ketë marrë spunto edhe nga këto manovra që shkuan deri në Uashington. Kurse hetimi i Ilir Metës, siç po tregon dosja, ka marrë nxitje pikërisht nga paratë e shpenzuara për lobim në Kongresin Amerikan.
Sot, edhe Sali Berisha, ashtu si Edi Rama, është i interesuar që të mos ketë ambasador fuqiplotë, për të mbajtur pozicionin e primatit në opozitë, si dhe për të vijuar të shantazhojë prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e GJKKO-së.
Ndërkohë Edi Rama, gjithashtu kërkon të fuqizojë sulltanatin e vet deri për zgjedhje, pa patur një shkëndijë nga Uashingtoni, që do ta hidhte në erë. Pas zgjedhjeve, ku Rama do të ishte i pari në pushtet, e Berisha i pari në opozitë, gjërat për ta do të ishin më të lehta.
Ndërsa nga qënia e një ambasadori fuqiplotë në Tiranë, jo vetëm që aktiviteti do të ishte më i dendur, por edhe presioni i komunitetit diplomatik do të shtohej shumë. Sidomos duke përfshirë edhe kolegët e vendeve kryesore të BE, si dhe ambasadorin e rëndësishëm të Mbretërisë së Bashkuar./Pamfleti
Lini një Përgjigje