TAGS-AT E JAVËS

Editorial 6 Gusht 2024, 15:13

'Të kujt janë delet, atij i takon edhe livadhi'...

Shkruar nga Fadil Lepaja

 'Të kujt janë delet, atij i takon edhe livadhi'...

Një ditë ndoshta edhe ne do të bëhemi diasporë. Mos u shqetësoni “patriotë”, edhe “ata” po ikin. Livadhi po mbetet thatë, “delet” që kanë mbetur më nuk po bëjnë “BE”. Ua kanë shpërla trurin. E bari po rritet...

As mos e diskutoni fare, patriotët më të mëdhenj janë diaspora. Vetëm ata e vuajnë mungesën e atdheut. Me shumë mund e sakrifica ikën jashtë. Dikush shiti çka pat, dikush rrezikoi jetën në ikje, dikush ishte i ndjekur, dikush ...epo çdokush pat një arsye që ja vlente rrezikun dhe shpenzimet për të ikur nga këtu.

Kjo nuk do të thotë se ikën, sepse nuk e deshën vendin. Gjithsesi prodhoi pasoja politike. Vendi nuk shkon askund, vetëm njerëzit mund të lëvizin...edhe delet. E fjala e moçme sllave thotë, “të kujt janë delet, atij i takon edhe livadhi”.

Këtë slogan e përsëriste Akademia Serbe e Shkencave, kur e akuzonin politikën kosovare se po bën presion mbi serbët për ta lëshuar Kosovën. Largohen serbët, Kosova ju mbetet shqiptarëve, thoshin ata. “Të kujt janë delet, atij i takon edhe ... Kosova” aludohej.

E kujt është Kosova, këtu dyshim nuk ka. Tash e kryem edhe regjistrimin e fundit. Nuk i regjistruam delet, së paku jo specifikisht, por as kullotat. Thjesht, pjesa kryesore e atdheut më nuk është këtu. Sido që të jetë, kur numërohen delet ende nuk vihet në pyetje livadhi. Një gjë është e sigurt, nëse gjithçka lidhet me “delet”, atëherë atdheu ynë është diaspora.

Në fund të fundit çfarë bëjmë për atdheun, ne që nuk kemi ikur ende? Zgjohemi herët dhe shkojmë në punë, ku për tetë orë punojmë diçka, ose sillemi vërdallë për të merituar pagën nga buxheti. Ose shkojmë në ndonjë punë të paguar keq, dhe e sfidojmë pronarin privat me teori të ndryshme sociale. Ankohemi! Nuk dalim dot nga skema jonë, nga konfliktet e vogla e të mëdha, nga rrjeti i emocioneve ku dashuria dhe urrejtja bashkëjetojnë trishtueshëm nën pushtetin e idesë se nuk ke ku shkon. Edhe kur ke, nuk ke pse.

Por ka edhe entuziastë. Dikush edhe po ta ndjekësh, nuk ikën. Ka plane. Të sjellim Evropën këtu, ka nisur projekte që thyejnë kufijtë, dhe planeti është i vogël për ta. Për dallim nga formula e shekullit të kaluar “Mendo globalisht dhe vepro lokalisht”, këta e bëjnë të kundërtën: mendojnë lokalisht e veprojnë globalisht. Vetëm lidhin fijet. Një vëlla në Gjermani, një në Norvegji, një kushëri në SHBA, tjetri në Australi, një dajë në Afganistan, një teze në Kolumbi. Tash ku është atdheu? Ku janë “delet” apo ku është “livadhi”?

Isë Boletini ishte vizionar. Kur e pyetën për kufijtë e Shqipërisë, ai u përgjigj përtej gjeopolitikës së atëhershme. “Shqipëri i thonë aty ku bukës i thonë bukë e ujit i thonë ujë”, ishte përgjigjur Isa dhe sot po e kuptojmë se me shkollat shqipe në diasporë, nëpër kontinente, po e bëjmë Shqipërinë globale. Shqipëria po bëhet, Isë!

Kështu, jemi bërë medium, enë ku përzihen ideologjitë, interesat, substancat dhe dilemat e kohës. Por, nuk jemi aq pasiv. Pjesa më e madhe nuk është se rri kot. Bëjmë pushim aktiv. Jetojmë as këtu as atje, pra, në rrjete sociale. Tash, preferencat janë të ndryshme, pleqtë në facebook e rinia në “Dua”...

Natyrisht nuk flemë aty, jemi aktiv në rrjetet sociale. Përcjellim me vëmendje se kush me kë po e bën...namin. Kush kujt po ja... nxjerr të palarat. Pastaj, verës, ankohemi se diaspora ka ardhur, ka bllokuar rrugët dhe ka sjellë kaosin. Gati po koteshim, një popull i tërë, pastaj vijnë ata që na duan, ata të cilëve u kemi munguar. Zot si ta përballojmë këtë mall. Vjen  Dua Lipa, Bebe Rexha, sjellin këtu vëmendjen globale për pak, dhe ikin.

Nuk është se edhe në të kaluarën ishte ndryshe. Patriotët e vërtetë gjithnjë kanë jetuar jashtë. Të gjithë rilindësit me famë kishin jetuar jashtë, në Stamboll, Rumani, Greqi, kishin shërbyer në shtete të tjera. Populli nuk është patriot, është vetvetja. Nuk lufton për tokën, lufton për veten. Një ditë ndoshta edhe ne do të bëhemi diasporë. Mos u shqetësoni “patriotë”, edhe “ata” po ikin. Livadhi po mbetet thatë, “delet” që kanë mbetur më nuk po bëjnë “BEee”. Ua kanë shpërla trurin. E bari po rritet...

Një intelektual kosovar, gazetar, pati thënë: “Kosova po shpëton, e për njerëz ende nuk po dihet”. Dikur edhe gazetarët llogariteshin intelektualë, tani në pjesën më të madhe janë bërë mercenarë.

E ky djali, e kishte fjalën për kohën e bombardimeve të NATO-s, mbi Serbinë. Bombat ranë kryesisht mbi Kosovën, pasi Serbia ishte ende këtu. Kur iku Serbia nga këtu mori me vete edhe tapinë. Kot “delet”, e rishikojnë atë thënien e tyre të moçme. Gjithçka është komplikuar shumë, përtej kapacitetit që kanë evropianët për të na kuptuar. Livadhi, delet, tapitë, kufijtë. Ka kohë që ka ndodhur kjo puna e “shpëtimit” të Kosovës, por dilema ende ka mbetur: Kemi shpëtuar?/Pamfleti

të kujt janë delet atij i takon edhe livadhi fadil lepaja diaspora

Lini një Përgjigje

Editorial