Protestat qytetare po e zhbëjnë fasadën autoritare të regjimit Vuçiç: Serbia përballet me krizën më serioze të rendit politik që nga rënia e Millosheviçit…
Serbia ndodhet në një moment vendimtar, ndërsa regjimi i Aleksandër Vuçiçit përballet me sfidën më të fortë të dekadës së fundit. Që prej 28 qershorit, protestat qytetare të udhëhequra nga studentë dhe aktivistë kanë paralizuar kryeqytetin dhe disa prej arterieve kyçe të vendit. Kjo nuk është më një valë zemërimi e përkohshme, por një krizë sistemike që po i nxjerr në shesh kufijtë e një regjimi autoritar që e ka ngritur pushtetin mbi kontrollin e mediave, frikësimin e opozitës dhe një simulim të demokracisë elektorale. Përballë këtij shpërthimi qytetar, regjimi po përpiqet të manovrojë mes kërcënimeve ligjore, retorikës së zakonshme për "kaos" dhe tentativës për të ruajtur një fasadë normaliteti për Perëndimin. Por realiteti i rrugës nuk gënjen: Serbia nuk është më e stabilizuar, është e tensionuar; dhe nuk është më e heshtur, është e zemëruar.
Përballë kësaj vale protestash, opsioni i shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, i përfolur në qarqet proqeveritare, është më shumë një shantazh psikologjik sesa një mundësi reale. Ekspertët kushtetues dhe organizatat për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar se një hap i tillë do të përbënte jo vetëm një shkelje flagrante të ligjit, por edhe një kthesë që do ta izolonte Serbinë nga partnerët ndërkombëtarë.
Nëse në vitin 2020 Vuçiç arriti ta kalonte një masë të tillë përmes frikës pandemike, sot skema është shumë më e rrezikshme: nuk ka emergjencë shëndetësore, por një revoltë politike legjitime. Dhe Perëndimi e di këtë. Brukseli dhe Uashingtoni, ndonëse të kujdesshëm në deklarata publike, kanë nisur të sinjalizojnë se mbështetja për Vuçiçin nuk është më e pakushtëzuar. Në fakt, mbrojtja e të drejtave qytetare në këtë fazë është bërë një test për kredibilitetin euro-integrues të Serbisë.
Por më dramatikja është se kriza e tanishme nuk buron vetëm nga rruga apo nga jashtë. Ajo është një çarje e brendshme në vetë strukturën e pushtetit të Vuçiçit. Burime të pavarura në Beograd raportojnë për pakënaqësi në rritje brenda Partisë Progresive Serbe (SNS), ku figura të njohura shprehin rezerva ndaj kursit represiv dhe dëmit që kjo krizë i shkakton reputacionit të vendit. Po ashtu, heshtja e disa figurave të vjetra të sistemit është më shumë treguese se sa neutraliteti: është frikë, është përgatitje për një ndryshim. Këto shenja tregojnë se mund të jemi në pragun e një tranzicioni, të nisur jo nga zgjedhjet apo elitat politike, por nga një revoltë qytetare që po kërkon fundin e një epoke të gjatë manipulimi.
Serbia është në një udhëkryq historik. Një rrugë e çon drejt përshkallëzimit të represionit, me pasoja të rënda për shoqërinë, për ekonominë dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit. Rruga tjetër, më e vështirë por më e shëndetshme është hapja e sistemit, ndërtimi i një demokracie funksionale dhe lejimi i një ndryshimi politik të vërtetë.
Historia e Ballkanit ka treguar se liderët që mbajnë pushtetin me frikë përfundojnë të braktisur nga të gjithë: nga populli, nga elitat dhe nga vetë aleatët ndërkombëtarë. Vuçiç nuk është përjashtim. Nëse ai zgjedh të sfidojë realitetin dhe vullnetin qytetar, atëherë ai nuk do jetë më “faktori stabilitetit në Ballkan”, por një pengesë për të ardhmen evropiane të Serbisë dhe paqen në rajon./Pamfleti
Lini një Përgjigje