TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi21 Maj 2025, 17:00

Blerja e banesave, nga 1 korriku bankat kufizojnë vlerën e kredive; sa do jetë kësti mujor dhe afati i  shlyerjes

Shkruar nga Pamfleti

Blerja e banesave, nga 1 korriku bankat kufizojnë vlerën e kredive; sa

Çfarë parashikohet në vendimin e Bankës së Shqipërisë, sa do të jetë kësti dhe afati i shlyerjes. Si do të llogariten vlerat dhe sa pëqind do të mbulojë banka kur qytetari aplikon për kredi për blerjen e banesës së parë?

Ka hyrë në fuqi vendimi i Bankës së Shqipërisë, i cili kufizon kreditë që jepen nga bankat e nivelit të dytë për blerjen e banesave nga qytetarët.

Vendimi është publikuar në fletoren zyrtare dhe në të përcaktohet se asnjë bankë nuk do të japë kredi për qytetarët që duan të blejnë shtëpinë e parë më shumë se 85% e vlerës së saj.

Ndërsa ata që kërkojnë kredi për të blerë një shtëpi të dytë vlera e kredisë që do mund të marrin kur është në monedhën lekë do të jetë 80% e vlerës së pronës.

Për huanë e marrë në lekë, kësti i kredisë nuk duhet të jetë më shumë se 40% e vlerës së të ardhurave që ka qytetari. Pra nëse të ardhurat mujore janë 100 mijë lekë në muaj, kësti nuk duhet të jetë më i lartë se 40 mijë lekë.

Ndërsa kur kredia kërkohet në valutë, për shtëpinë e parë vlera e huasë do të jetë deri në 75%, dhe ulet në 70% për pronën e dytë. Sa i takon këstit mujor ai duhet të jetë deri në 35% të vlerës së të ardhurave.

Afati maksimal për shlyerjen e kredisë do të jetë deri në 30 vjet, ose do të caktohet një afat tjetër nga banka duke marrë në konsideratë moshën e kredimarrrësit, me qëllim që të mos ketë kredi për të shlyer në moshën e pensionit.

Vendimi i plotë

Në bazë dhe për zbatim të nenit 12, shkronja “a” dhe të nenit 43, shkronja “c”, të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar; dhe  të  rregullores  nr.  44,  datë  4.10.2023,  “Për raportimin e të dhënave, identifikimin  dhe monitorimin  e  treguesve  mbi  kredidhënien  dhe investimet për prona të paluajtshme”, neni 4, neni 13, neni 14, pika 1, shkronjat “b” dhe “c”, dhe pika 2, neni 15, pika 1, shkronja “a” dhe pika 2, dhe neni 16;  me  propozimin  e  Departamentit  të  Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë,

Vendosi:

1.  Për  kredinë  e  re  për  pasuri  të  paluajtshme rezidenciale që japin bankat:

a) të miratojë vendosjen e kufijve të sipërm për treguesin  “raporti i kredisë ndaj vlerës, në disbursim” (HnV_D), si më poshtë:

i. në lek, HnV_D të mos kapërcejë vlerën 85 për qind;

ii. në  lek, për  blerjen  e  një  shtëpie  të  dytë  (dhe vijuese) ose për t’u dhënë me qira, HnV_D të mos kapërcejë vlerën 80 për qind;

iii. në valutë, HnV_D të mos kapërcejë vlerën 75 për qind;

iv. në valutë, për blerjen e një shtëpie të dytë (dhe vijuese) ose për t’u dhënë me qira, HnV_D të mos kapërcejë vlerën 70 për qind;

b) të miratojë vendosjen e kufijve të sipërm për treguesin “raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave, në disbursim” (ShBnA_D), si më poshtë:

i. në lek, ShBnA_D të mos kapërcejë vlerën 40 për qind;

ii.  në  lek,  për  blerjen  e  një  shtëpie  të  dytë  (dhe vijuese) ose për t’u dhënë me qira, ShBnA_D të mos kapërcejë vlerën 35 për qind;

iii. në valutë, ShBnA_D të mos kapërcejë vlerën 35 për qind;

iv. në valutë, për blerjen e një shtëpie të dytë (dhe vijuese) ose për t’u dhënë me qira, ShBnA_Dtë mos kapërcejë vlerën 30 për qind;

v. për  përcaktimin  e  vlerës së borxhit të kredimmarrësit,  krahas  vlerës  së  kredisë  konkrete (dhe të kredive të tjera që ai mund të ketë në sistemin financiar), banka do të përfshijë edhe çdo borxh tjetër të  tij  për  të cilin  banka  ka  siguruar  informacion  të besueshëm nga komunikimi me kredimmarrësin apo konsultimi paraprak i bazave relevante të të dhënave;

c) të  lejojë  bankat që të zbatojnë kuota përjashtimi  nga  kufizimet  e  mësipërme  në  secilin prej treguesve HnV_D dhe ShBnA, me kushtin që, në  total,  vlera  e  kredive  të  përjashtuara  të  mos kapërcejë 15 për qind të vëllimit të kredive të reja që janë miratuar dhedisbursuar (edhe pjesërisht) gjatë tremujorit.

Në këtë kuotë përjashtimi do të përfshihen  lehtësitë  e  rifinancimit  që  jepen  gjatë tremujorit  për  kreditë  ekzistuese  dhe  që  mund  të kapërcejnë  kufirin  e  treguesit. 

Bankat  duhet  t’i identifikojnë  kreditë  dhe  lehtësitë  e  rifinancimit  që përfshihen  në  kuotën  e  përjashtimit,  në  mënyrë individuale dhe t’i evidentojnë ato në mënyrë të dallueshme në raportimin tremujor që kryejnë pranë Bankës së Shqipërisë;

d)  të  përjashtojë  nga  përfshirja  në  llogaritjen  e  kufizimeve sipas shkronjave “a”, “b” dhe “c” më sipër:

i. kreditë që disbursohen në kuadër të  skemave që mbështesin politikat publike të strehimit;

ii. kreditë që disbursohen për rinovimet e banesave që lidhen me përmirësimin e efikasitetit të energjisë apo kalimin drejt burimeve të energjisë së rinovueshme,  deri  në  vlerën  3  milionë  lekë  (ose kundërvlera përkatëse në valutë nëse disbursohen në valutë);

iii. disbursimin në kuadër të granteve të parikthyeshme publike që lidhen me përmirësimin e efikasitetit të energjisë apo kalimin drejt burimeve të energjisë së rinovueshme, te banesat;

e)  të  rekomandojë  për  bankat  zbatimin  e  një kufiri maksimal në afatin e maturimit në disbursim të  kredisë,  pavarësisht  monedhës,  sa  minimumi midis:

i. 30 vjet;

ii.  numri  i  viteve  deri  në arritjen  e  moshës  së pensionit të kredimarrësit (ose të kredimarrësit që e arrin  këtë  moshë më shpejt në rastin e kredisë me bashkëkredimarrës).

2. Ky vendim fillon të zbatohet nga bankat për kreditë e reja për pasuri të paluajtshme rezidenciale që disbursohen nga data 1 korrik 2025.

3. Ky vendim rishqyrtohet jo më vonë se 2 vjet nga data e hyrjes së tij në fuqi. /Pamfleti/

Lini një Përgjigje