TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi14 Tetor 2025, 20:21

FMN rrëzon propagandën e Edi Ramës, ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë!

Shkruar nga Pamfleti

FMN rrëzon propagandën e Edi Ramës, ul parashikimin për

FMN ul parashikimin nga 3.8 për qind në 3.4 për qind...

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka rrëzuar propagandën e qeverisë se Shqipëria po lulëzon ekonomikisht.

Në raportin e fundit të Pasqyrës Ekonomike Globale, FMN ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të vendit në vitin 2025 në 3.4%, nga 3.8% që ishte pritshmëria në pranverë. Kjo është një goditje për narrativën qeveritare për rritje të qëndrueshme dhe menaxhim të suksesshëm ekonomik.

Ndërkohë që rajoni vijon të lëvizë me ritme më të larta, si Kosova që pritet të ketë një rritje 3.9% në 2025, Shqipëria duket se po e humbet vrullin. Madje, edhe vende si Maqedonia e Veriut dhe Serbia po i afrohen ose e kalojnë ritmin shqiptar.

FMN ngre gjithashtu shqetësime për inflacionin, i cili pritet të rritet në 2.3% në vitin 2025 dhe të kapë 2.8% në 2026. Rritja e çmimeve, në një kontekst të ngadalësimit ekonomik, është një kombinim i rrezikshëm që e vështirëson më tej jetesën për qytetarët dhe e bën më sfiduese politikën fiskale për qeverinë.

Edhe më kritike është paralajmërimi për rritjen e borxhit dhe nevojën për ulje të shpenzimeve. FMN thekson se "qeveritë do të duhet të shkurtojnë shpenzimet, veçanërisht në Europë, për shkak të kostove shtesë të lidhura me plakjen e popullsisë, rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe sigurinë energjetike". Shqipëria, me një borxh publik që mbetet i lartë dhe një strukturë të paqëndrueshme të shpenzimeve publike, është padyshim në këtë grup.

“Nuk është aq keq sa kishim frikë, por është më keq se sa prisnim një vit më parë, dhe më keq se sa do të duhej”, ka deklaruar kryeekonomisti i FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas, duke e përshkruar më së miri atmosferën e zymtë ekonomike.

Gjithashtu Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dhënë alarmin për ekonominë globale, duke paralajmëruar se presionet në rritje nga proteksionizmi dhe tarifat e gjera të vendosura nga SHBA po nisin të japin efektet e tyre, ndonëse deri tani rritja ka rezultuar më e qëndrueshme se sa pritej.

Në raportin më të fundit World Economic Outlook, publikuar këtë të martë nga selia e FMN-së në Uashington, parashikimi për rritjen globale është përmirësuar lehtë për vitin 2025 në 3.2%, nga 3% që ishte në muajin korrik. Por shpresa nuk zgjat shumë: në vitin 2026, ritmi pritet të ngadalësohet në 3.1%.

FMN shpjegon se përmirësimi për këtë vit vjen kryesisht nga faktorë afatshkurtër, si “furnizimi paraprak i bizneseve dhe konsumatorëve përpara hyrjes në fuqi të tarifave të reja” dhe një “dobësim i dollarit amerikan që ka ndihmuar eksportet”. Megjithatë, afati i gjatë mbetet i pasigurt, me paralajmërime se ekonomia globale po përballet me “pritshmëri të zbehta”.

Lini një Përgjigje