
Projektbuxheti i vitit 2026 është miratuar nen për nen në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, mes debateve dhe propozimeve të shumta nga opozita, të cilat u refuzuan nga mazhoranca për arsye fiskale.
Deputeti demokrat Igli Cara kërkoi krijimin e një fondi kontigjent prej 5 miliardë lekësh për eksportuesit, për të kompensuar efektet negative të dobësimit të euros, që sipas tij ka dëmtuar rëndë industrinë prodhuese. Ai theksoi se ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha janë në presion nga kursi i këmbimit dhe nga një regjim taksash më i rënduar se vendet e rajonit.
Opozita kërkoi gjithashtu rritje të pagave me 25% për sektorin e shëndetësisë, me fokus në zonat rurale, si dhe propozoi masa sociale shtesë: bonus lindjeje më të lartë, minimum jetik prej 200 eurosh, pagesa për invaliditet që të mos jenë më të ulëta se ky minimum, si dhe rritje të ndihmës ekonomike për familjet në nevojë.
Në bujqësi u kërkua trefishim i fondeve për subvencionet dhe angazhim më të madh për infrastrukturën rurale, përfshirë ndërtimin e bypass-it të Elbasanit.
Deputeti i PS, Erion Braçe, kundërshtoi amendamentet e opozitës, duke kërkuar ruajtjen e balancës fiskale dhe theksoi nevojën për mbështetje më të madhe për bujqësinë pas dëmeve nga zjarret dhe përmbytjet.
Kryetarja e Komisionit, Milva Ekonomi, deklaroi se nuk ka hapësira për rritje të shpenzimeve jashtë tavaneve të përcaktuara, ndërsa zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiri, tha se të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen në 30% të PBB-së, ndërsa shpenzimet në 32%, duke mbetur brenda objektivave afatmesme.
Yzeiri bëri të ditur se nga viti 2026, përmes Bankës së Zhvillimit, do të mbështeten sektorët e manifakturës dhe eksportit, por theksoi se ndihma shtetërore nuk mund të jetë mekanizmi kryesor për zhvillimin e tyre afatgjatë.
Pikat kryesore të projektbuxhetit 2026 për qytetarët:
-Rritje e pagës minimale në 50 000 lekë nga 1 janari 2026
-Rritje page për mjekët, mësuesit, punonjësit e rendit dhe administratën
-Pensioni urban pritet të arrijë 40 000 lekë deri në 2030, ndërsa pensioni rural 18 000 lekë
-Pensioni i invaliditetit do të shkojë në 30 000 lekë
-Efekti i reformës së pensioneve për 2026 llogaritet në 10.4 miliardë lekë
-Në fokus të buxhetit janë investimet në infrastrukturë, energji, arsim dhe bujqësi, si dhe politikat sociale për shtresat në nevojë dhe pensionistët me të ardhura të ulëta.
Projektbuxheti kalon të enjten për votim nen për nen në seancën plenare të Kuvendit.
Lini një Përgjigje