TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi20 Shtator 2025, 18:39

Raporti i DASH, Shqipëria përmbush standardet minimale të transparencës fiskale

Shkruar nga Pamfleti

Raporti i DASH, Shqipëria përmbush standardet minimale të

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin e transparencës fiskale për vitin 2025 dhe Shqipëria renditet mes vendeve që përmbushin standardet minimale të kërkuara. Sipas raportit, nga 139 vende të vlerësuara (përfshirë edhe Autoritetin Palestinez), vetëm 71 janë cilësuar si përmbushëse të kërkesave, ndërsa 69 të tjera nuk i kanë plotësuar kriteret, edhe pse 26 prej tyre kanë shënuar përparim.

Shqipëria vlerësohet pozitivisht për mënyrën se si administron publikimin dhe përmbajtjen e dokumenteve buxhetore, kontratave dhe licencave publike. DASH thekson se vendi ynë ka siguruar transparencë të mjaftueshme në lidhje me të dhënat financiare, çka ndihmon në rritjen e besueshmërisë publike dhe forcimin e llogaridhënies.

Në të njëjtën listë me Shqipërinë ndodhen vende si Brazili, India, Kroacia, Izraeli, Kosova, Maqedonia e Veriut, Portugalia dhe Turqia – vende që konsiderohen me standarde fiskale të qëndrueshme. Ndërkaq, një numër i konsiderueshëm shtetesh, shumica prej tyre në Afrikë dhe Azi, vijojnë të mbeten jashtë kritereve minimale të transparencës.

Raporti i DASH vë theksin se transparenca fiskale është një nga shtyllat e qeverisjes së mirë dhe një instrument kyç për të luftuar korrupsionin dhe për të fituar besimin e qytetarëve. Përfshirja e Shqipërisë në listën e vendeve që përmbushin këto standarde është një sinjal pozitiv, por mbetet për t’u parë nëse kjo performancë do të përkthehet edhe në praktikë me më shumë akses publik dhe më pak abuzime me fondet shtetërore.

Lini një Përgjigje