
Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin për 60 ditë nga Kuvendi të deputetit Agron Shehaj, duke e akuzuar për marrjen e një dokumenti që mazhoranca e cilëson si konfidencial dhe që lidhet me një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Krahas masës disiplinore, PS ka kërkuar edhe referimin e çështjes në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), me argumentin se veprimet e deputetit mund të përbëjnë disa vepra penale.
Kërkesa e mazhorancës pritet të shqyrtohet sot nga Sekretariati i Etikës, i cili do të mblidhet në orën 09:30 për të vendosur mbi masën disiplinore ndaj deputetit.
Në kërkesën drejtuar Sekretariatit të Etikës, Partia Socialiste pretendon se Agron Shehaj ka marrë dokumentin dhe është larguar me të, ndërsa një këshilltare është përpjekur ta ndalojë.
Mazhoranca argumenton se veprimi i deputetit përbën përvetësim të informacionit të klasifikuar dhe cenon sigurinë kombëtare.
Përveç masës disiplinore, Partia Socialiste kërkon që rasti të referohet në SPAK për verifikim penal. Sipas kërkesës, deputeti dyshohet se mund të ketë konsumuar disa vepra penale, të cilat, sipas pretendimeve të PS-së, përfshijnë:
-përvetësimin ose marrjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar;
-vjedhjen ose forma të tjera të përvetësimit të paligjshëm të dokumentit;
-grabitjen, me pretendimin se dokumenti është marrë me përdorim force ose kërcënimi ndaj personit që e mbante;
-pengimin e detyrës së funksionarit publik, për shkak të përdorimit të forcës ndaj një punonjësi publik gjatë ushtrimit të detyrës;
-shkelje të dispozitave që lidhen me mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe sekretit shtetëror, duke pretenduar se rasti mund të ketë pasoja për sigurinë kombëtare.
Në kërkesë, PS shprehet gjithashtu se organet e drejtësisë duhet të hetojnë nëse dokumenti mund të ketë qenë i destinuar t'u dorëzohej personave të tjerë, të cilët, sipas saj, mbeten të paidentifikuar.
Sekretariati i Etikës do të shqyrtojë sot kërkesën e Partisë Socialiste dhe pritet të vendosë nëse do të miratojë përjashtimin 60-ditor të deputetit Agron Shehaj nga punimet e Kuvendit.
Lini një Përgjigje