Kuzhinierët, truprojat dhe fotografët që punojnë me presidentin gjithashtu ndalohen të udhëtojnë me transport publik, thuhet në dosje e agjensive sekrete. Vizitorët e shefit të Kremlinit duhet të kontrollohen dy herë, dhe ata që punojnë pranë tij mund të përdorin vetëm telefona pa qasje në internet, thuhet më tej në dosje.
Kremlini ka rritur ndjeshëm masat e sigurisë personale për presidentin Vladimir Putin, duke instaluar sisteme survejimi edhe në banesat e stafit të tij të afërt.
Sipas një raporti të një agjencie europiane të inteligjencës, të siguruar nga CNN, këto masa janë ndërmarrë pas një vale atentatesh ndaj figurave të larta ushtarake ruse dhe për shkak të frikës nga një grusht shteti.
Raporti thekson se punonjës si kuzhinierët, truprojat dhe fotografët e presidentit nuk lejohen më të përdorin transportin publik. Vizitorët duhet të kalojnë dy kontrolle sigurie, ndërsa stafi i afërt mund të përdorë vetëm telefona pa akses në internet.
Një pjesë e këtyre masave janë vendosur muajt e fundit, pas vrasjes së një gjenerali të lartë në dhjetor, që shkaktoi përplasje brenda strukturave të sigurisë ruse. Sipas raportit, kjo reflekton një shqetësim në rritje në Kremlin, përballë vështirësive të brendshme dhe ndërkombëtare, përfshirë problemet ekonomike, shenja pakënaqësie dhe sfida në frontin e luftës në Ukrainë.
Zyrtarët rusë të sigurisë kanë kufizuar ndjeshëm vendet që Putin viziton rregullisht. Ai dhe familja e tij nuk frekuentojnë më rezidencat e zakonshme në rajonin e Moskës apo në Valdai. Gjithashtu, presidenti nuk ka vizituar asnjë objekt ushtarak gjatë këtij viti, ndryshe nga viti 2025. Për të kompensuar mungesën e daljes publike, Kremlini publikon pamje të regjistruara paraprakisht.
Që nga nisja e pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, Putin kalon shpesh javë të tëra në bunkerë të përforcuar, kryesisht në rajonin e Krasnodarit, pranë Detit të Zi.
Raporti vjen në një moment kur perceptimi për krizë rreth Kremlinit është në rritje. Sipas vlerësimeve perëndimore, humbjet ruse arrijnë rreth 30 mijë të vrarë dhe të plagosur çdo muaj, ndërsa përparimet territoriale mbeten të kufizuara. Sulmet me dronë nga Ukraina në thellësi të territorit rus dhe kostoja ekonomike e luftës po rëndojnë gjithnjë e më shumë.
Ndërprerjet e shpeshta të shërbimeve celulare në qytetet e mëdha kanë shkaktuar pakënaqësi edhe tek shtresat pro-qeveritare, duke reflektuar ndikimin në rritje të luftës mbi elitën urbane.
Raporti ofron detaje të rralla mbi shqetësimet e Moskës për sigurinë e brendshme dhe përshkruan tensione brenda strukturave ushtarake dhe të sigurisë lidhur me mbrojtjen e zyrtarëve të lartë. Kjo situatë ka çuar në rishikimin e protokolleve të sigurisë për Putinin dhe zgjerimin e mbrojtjes për 10 komandantë të tjerë të lartë.
Rreziku i një grushti shteti
Raporti thekson se që nga fillimi i marsit 2026, Kremlini dhe vetë Vladimir Putin janë të shqetësuar për rrjedhje të mundshme informacioni të ndjeshëm dhe për rrezikun e një komploti apo grushti shteti. Sipas dokumentit, ekziston edhe frika për përdorimin e dronëve në një atentat të mundshëm nga pjesëtarë të elitës politike ruse.
Një nga përfundimet më të rëndësishme lidhet me ish-ministrin e mbrojtjes Sergei Shoigu. Aktualisht sekretar i Këshillit të Sigurisë, ai konsiderohet si një figurë me ndikim të madh në komandën e lartë ushtarake dhe lidhet me “rrezikun e një grushti shteti”.
Arrestimi më 5 mars i ish-zëvendësit të tij, Ruslan Tsalikov, për akuza për korrupsion, pastrim parash dhe ryshfet, shihet si një shkelje e marrëveshjeve të heshtura brenda elitës. Sipas raportit, kjo dobëson pozitën e Shoigut dhe rrit mundësinë që edhe ai të përballet me hetime.
Megjithatë, raporti nuk paraqet prova konkrete për këto pretendime ndaj Shoigut. Publikimi i tij mund të interpretohet edhe si përpjekje për të destabilizuar Kremlinin, ndërsa fakti që një shërbim inteligjence europian paralajmëron për një grusht shteti mbetet i pazakontë.
Putin ka përballuar më parë një tentativë të tillë në qershor 2023, kur kreu i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, udhëhoqi një marshim të dështuar drejt Moskës.
Përplasja në Kremlin
Raporti përshkruan gjithashtu një debat të ashpër mes drejtuesve të lartë ushtarakë në një takim në Kremlin në fund të vitit të kaluar, që kontribuoi në vendosjen e masave të reja.
Pas vrasjes së gjeneral-lejtnant Fanil Sarvarov në Moskë më 22 dhjetor 2025, Putin mblodhi drejtuesit kryesorë të sigurisë. Në këtë takim, shefi i Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov kritikoi kreun e FSB-së, Alexander Bortnikov, për dështim në mbrojtjen e oficerëve. Nga ana tjetër, Bortnikov përmendi mungesën e burimeve dhe personelit.
Raporti thekson se Gerasimov nënvizoi frikën dhe demoralizimin në radhët e ushtrisë, duke kritikuar mungesën e parashikimit nga shërbimet speciale.
Në përfundim të takimit, Putin kërkoi qetësi dhe udhëzoi hartimin e zgjidhjeve konkrete brenda një jave. Si rezultat, Shërbimi Federal i Mbrojtjes (FSO) zgjeroi mandatin e tij për të mbrojtur edhe 10 komandantë të lartë shtesë.
Sipas raportit, forcimi i masave të sigurisë për vetë Putinin erdhi pas këtij zgjerimi të kompetencave të FSO-së.
Dosja e publikuar nga CNN dhe media të tjera nga një burim pranë një agjencie evropiane të inteligjencës, vjen në një kohë të një krize të perceptuar në rritje rreth Kremlinit, katër vjet në luftën e tij brutale dhe të pafat.
Humbjet ruse, të vlerësuara nga vendet perëndimore, prej rreth 30,000 të vdekur dhe të plagosur çdo muaj, së bashku me fitimet e kufizuara territoriale në vijën e frontit dhe sulmet e përsëritura me dronë nga Ukraina thellë brenda Rusisë, e kanë çuar koston e konfliktit në një nivel që shumë e besojnë se është i paqëndrueshëm./ Pamfleti
Lini një Përgjigje