A duhet të vendoset një kufi moshe në politikë...
Emri i Peter Hennessy-t mund të mos u thotë shumë atyre që jetojnë jashtë Mbretërisë së Bashkuar, por brenda vendit historiani 79-vjeçar i politikës është një figurë e njohur, të cilin shumë prej admiruesve e konsiderojnë një institucion kombëtar.
Ai është gjithashtu i njohur për humorin e tij. Fundjavën e kaluar ai bëri diçka edhe më mbresëlënëse. Njoftoi se po tërhiqej nga Dhoma e Lordëve, sepse sëmundja e Parkinsonit, me të cilën jeton prej vitesh, kishte arritur në një fazë ku, siç tha vetë, "nuk mund të mendoj më aq mirë dhe fjalët nuk më vijnë gjithmonë", ndaj nuk mund ta kryeja më detyrën siç duhet".
"Të jem një figurë dekorative në stolat e pavarur mund të jetë mirë për mua, por është shpërdorim i parave të taksapaguesve. Prandaj, mirupafshim", tha ai për BBC Radio 4.
Kjo i habiti shumë njerëz. Ai nuk dukej i paaftë. Po jepte një intervistë për dokumentarin e tij më të fundit në BBC, një program që kërkonte qartazi mendim të thellë dhe aftësi të mira komunikimi. Por Parkinsoni është një sëmundje e pamëshirshme dhe realiteti është ky.
Pyetja është pse kaq shumë drejtues të moshuar në politikë dhe në biznes vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë edhe kur shfaqen shenja të qarta të paaftësisë.
Për të qenë i qartë, nuk po flas thjesht për moshën. Kam shkruar shpesh për diskriminimin ndaj të moshuarve dhe për paragjykimin se punonjësit mbi të pesëdhjetat janë më pak të aftë sesa janë në të vërtetë. Njoh njerëz 90-vjeçarë që janë më të kthjellët se të tjerë që kanë vetëm një të tretën e moshës së tyre. Megjithatë, ka raste kur pesha e viteve bëhet e dukshme.
Po atë ditë kur foli Hennessy, senatori republikan i Kentakit, Mitch McConnell, 84 vjeç, më në fund theu heshtjen disajavore për arsyen pse ishte shtruar në spital gati një muaj më parë.
Ai tha se ishte në rikuperim pas një rrëzimi, gjatë të cilit kishte humbur ndjenjat, dhe se më pas kishte zhvilluar pneumoni. Bëhet fjalë për të njëjtin McConnell që, tre vjet më parë, gjatë një konference për shtyp, ndaloi papritur së foluri në mes të fjalisë dhe mbeti i ngrirë. Madje kjo ndodhi më shumë se një herë.
Ai planifikon të largohet nga Senati në janar, ku mosha mesatare e senatorëve është pak më pak se 66 vjeç. Por deklarata e tij erdhi vetëm një ditë pas vdekjes së papritur të senatorit Lindsey Graham, i cili kishte mbushur 71 vjeç vetëm dy ditë më parë.
Graham është senatori i dytë që ndërron jetë gjatë ushtrimit të detyrës në vitet e fundit, pas Dianne Feinstein, e cila, në mënyrë të dukshme, ishte në gjendje të rënduar shëndetësore dhe vdiq në moshën 90-vjeçare në vitin 2023. Rahm Emanuel, kandidat i mundshëm për president nga Partia Demokratike, tha një ditë më pas për një gazetar se nuk e dinte më që ishte senatore e Shteteve të Bashkuara.
Emanuel prej kohësh ka kërkuar vendosjen e një moshe të detyrueshme pensionimi, 75 vjeç, për të tre degët e pushtetit amerikan: Kongresin, Gjykatën Supreme dhe Shtëpinë e Bardhë.
Sipas tij, kjo do ta kishte kursyer Partinë Demokratike nga kriza e shkaktuar nga tërheqja e vonë e Joe Biden nga gara presidenciale e vitit 2024, pas paraqitjes së dobët të presidentit 81-vjeçar në debat.
Një kufi i tillë do ta kishte penguar gjithashtu Donald Trump-in, i cili sapo ka mbushur 80 vjeç, si edhe senatorin e majtë nga Vermonti, Bernie Sanders, i cili ishte 83 vjeç kur u rizgjodh në Senat në vitin 2024 për një mandat tjetër gjashtëvjeçar.
Mbështetësit e të dy politikanëve do të ishin padyshim të pakënaqur. Megjithatë, në një vend thellësisht të polarizuar, sondazhet në Shtetet e Bashkuara tregojnë se një nga çështjet për të cilat demokratët dhe republikanët bien dakord në masë është vendosja e një kufiri moshe për zyrtarët e zgjedhur.
Megjithatë, është e vështirë të imagjinohet që kjo të ndodhë. Senatorët amerikanë janë ndër ligjvënësit më të fuqishëm dhe më të mbështetur me staf në botë. Shumë njerëz kanë interes që ata të qëndrojnë në detyrë sa më gjatë të jetë e mundur.
Dhjetëra vende nuk lejojnë kandidimin për poste të zgjedhura pa arritur një moshë minimale, por vendosja e një moshe maksimale ose e një pensionimi të detyrueshëm mbetet shumë e rrallë.
Në Dhomën e Lordëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk është e pazakontë që drejtuesit e partive të bisedojnë me familjarët e kolegëve që shfaqin shenja të dukshme lodhjeje ose rënieje. Dyshoj se kjo ndodh edhe në vende të tjera, por vendosja e kufijve të detyrueshëm të moshës është një çështje krejt tjetër.
Në botën e biznesit, Sumner Redstone mbetet shembulli klasik i manjatit që qëndroi shumë gjatë në krye. Por ka edhe raste të kundërta, si ai i Fred Smith. Themeluesi i FedEx ishte ende kryetar ekzekutiv i kompanisë që krijoi kur vdiq në moshën 80-vjeçare vitin e kaluar. Megjithatë, ai kishte kaluar vite duke përgatitur drejtorin ekzekutiv Raj Subramaniam si pasardhësin e tij. Pothuajse të njëjtën qasje ndoqi edhe Warren Buffett në Berkshire Hathaway, përpara se të largohej nga drejtimi në fund të vitit të kaluar, në moshën 95-vjeçare.
Zyrtarët e zgjedhur nuk mund të caktojnë vetë pasardhësit e tyre, por mund të bëjnë atë që është më e mira për shëndetin e tyre dhe për qytetarët që përfaqësojnë, në vend që të qëndrojnë në detyrë për të ushqyer egon personale ose për t'u shërbyer interesave të atyre që i rrethojnë./Përshtati “Pamfleti” nga “FinancialTimes”
Lini një Përgjigje