Ky veprim i qëllimshëm ka qenë mjaftueshëm për të provuar ekzistencën e veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit por edhe të tradhtisë kombëtare.
Në qershor të vitit 2020, ndërsa shqiptarët ishin të zënë me pasojat e pandemisë dhe me hallet e përditshme, në zyrat më të larta të ushtrisë shqiptare zhvillohej një nga aferat më të rënda që kanë cenuar interesin strategjik të vendit.
Në datën 17 qershor 2020, me shkresën nr. 3167, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, nën firmën e Gjeneral Bardhyl Kollçakut, shprehu “dakordësinë” për vijimin e procedurës së qiradhënies së pronave ushtarake në Gjirin e Limionit, Sarandë, pronë e Forcës Detare, në favor të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Në dokumentin zyrtar, Shtabi i Përgjithshëm pohonte se “dhënia me qira e këtyre pronave nuk cenon operacionalitetin e Forcës Detare”, me arsyetimin absurd se “gatishmëria do të ruhet përmes ndërtimit të një bankine të re dhe infrastrukturës mbështetëse sipas standardeve të kërkuara”. Në thelb, ky ishte justifikimi ligjor për t’i hapur rrugë privatizimit të maskuar, të një zone që prej dekadash konsiderohet nyje ushtarake e rëndësishme për mbrojtjen e vijës bregdetare.
Por dokumentet e mëvonshme zbulojnë tradhtinë e Gjeneralit të krimit Bardhyl Kollçaku. Gjykata e Lartë, në vendimin e saj nr. 1001, datë 15.06.2022, ka konstatuar se Kollçaku e ka dhënë këtë “dakordësi” pa pasur ende prononcimin zyrtar të Forcës Detare, strukturës që administroi realisht pronën. Forca Detare është shprehur vetëm një ditë më pas, më 18.06.2020, në shkresën nr. 3192, duke sqaruar se ende nuk kishte dhënë aprovimin për dhënien me qira të pronave në Gjirin e Limionit.
Pra, në momentin kur Shefi i Shtabit të Përgjithshëm firmosi dakordësinë, ai e bëri pa autorizimin e trupës kompetente, duke shkelur çdo procedurë ligjore dhe duke tejkaluar kompetencat e tij zyrtare. Ky veprim i qëllimshëm ka qenë mjaftueshëm për të provuar ekzistencën e veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit por edhe të tradhtisë kombëtare. Bardhyl Kollçaku ka dëmtuar interesat strategjike të shtetit shqiptar.
Ky është momenti kur gjenerali, që duhej të mbronte sovranitetin territorial të vendit, zgjodhi të bëhej noter i planeve për t’ia dorëzuar detin oligarkëve. Shkresa e tij u bë çelësi për të hapur dyert e abuzimeve me pronat ushtarake në bregdet, një proces që më pas është hetuar dhe për të cilin Gjykata e Lartë ka pranuar vlefshmërinë e sekuestrimit të pronës.
Në arsyetimin e saj, Gjykata e Lartë e godet pa mëshirë skemën e tradhtisë që firmosi Gjenerali Bardhyl Kollçaku duke deklaruar qartë se veprimi i tij ka vënë në rrezik të drejtpërdrejtë sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Gjykata thekson se “disponimi i lirë i pronës ushtarake” pra dhënia e saj për përdorim privat rrit ndjeshëm rrezikun mbi gatishmërinë dhe operacionalitetin e Komandës së Forcës Detare.
Më tej, gjykata paralajmëron se lejimi i një pale private apo “investitori” të ketë akses në pronën ushtarake nuk është thjesht shkelje ligjore, por akt i rrezikshëm që dëmton sigurinë kombëtare dhe kompromenton marrëdhëniet me NATO-n. Me pak fjalë, çdo firmë e tillë, si ajo e Kollçakut, është firmë tradhtie, që vë në rrezik Shqipërinë dhe prish besimin e aleatëve ndërkombëtarë në aftësinë e saj për të ruajtur sekretet dhe strukturat mbrojtëse të shtetit.
Në fakt, vendimi i gjykatës është një dokument zyrtar që provon tradhtinë institucionale, ai tregon se, në kohën kur duhej të pritej përgjigjja nga strukturat ushtarake, Bardhyl Kollçaku firmosi për llogari të interesave civile e ekonomike, duke sakrifikuar interesin kombëtar për përfitime politike apo financiare të grupeve të caktuara.
Kështu, historia e “Gjeneralit të Bandave”, siç e quajnë sot shumë oficerë që ndihen të tradhtuar, mbetet një nga faqet më të errëta të ushtrisë shqiptare pas viteve ’90. Një shembull i qartë se si kolonat e sigurisë kombëtare mund të shemben me një firmë kur në krye të tyre vendosen njerëz që shesin detin për një vend në listat politike.
Ky nuk është vetëm një rast korrupsioni, por një akt tradhtie ndaj Republikës së Shqipërisë dhe është koha që hetimet të mos ndalen vetëm te dokumentet, por të shkojnë deri te përgjegjësia personale e atyre që nënshkruan, mbuluan dhe përfituan nga ky skandal.
Tradhetar te ndeshkohet.☝️
Po ku ishit ju kaq vjet,pse doli sot dhe jo në kohë? Këtë nuk e kuptoj.