TAGS-AT E JAVËS

Forum14 Maj 2025, 17:05

Ben Blushi: I mbyllur në garazh me Renis Gjokën dhe Gent Bushpepën

Shkruar nga Ben Blushi

Ben Blushi: I mbyllur në garazh me Renis Gjokën dhe Gent

Podcastet janë një media e re, një modë e bërë në një odë, dhe shpresoj shumë që disa vjet më vonë – të lodhur nga televizionet ku çdo natë thuhet e njëjta gjë, nga të njëjtët njerëz – të kemi një pluralitet podcastesh që janë të lira, të sinqerta dhe të këndshme, edhe kur bëhen në një garazh.

Për gati dy orë isha i ftuar në podcastin e dy këngëtarëve të mrekullueshëm, dy rokerëve me zë të ngjirur, Renis Gjokës dhe Gent Bushpepës, ku përveçse nuk këndova, bëra çdo gjë tjetër që bëhet në një garazh; pra, muhabet çunash që tregojnë historitë e tyre me alkoolin, vajzat, cigaren dhe plot vese të tjera që duhet t’i kalosh përpara se të bëhesh burrë.

Unë i kam kaluar të gjitha këto, dhe për fat më ka mbetur vetëm një ves – letërsia – për të cilën fola gjatë me Renisin, që më kishte lexuar disa libra, dhe me Gentin, që nuk më kishte lexuar ende asgjë, por që ishte shumë kurioz.

Rrallëherë jam ndjerë kaq komod në një podcast, sepse as Renisi, as Genti nuk më pyetën për kë votoj, përse votoj, apo pse votoj atë që “nuk duhet” ta votoj.

I vetmi problem që pata ishte të gjeja garazhin e tyre, në një pallat diku në Astir, në mes të një rruge të pashtruar, për të arritur te e cila duhej të kaloje edhe pesë rrugë të tjera po aq të pashtruara, me gropa të shëndoshura nga uji.

“Nëse do jetoja në këtë zonë, nuk do votoja për askënd”, i thashë Renis Gjokës që më doli përpara për të më orientuar.

Podcastet janë një media e re, një modë e bërë në një odë, dhe shpresoj shumë që disa vjet më vonë – të lodhur nga televizionet ku çdo natë thuhet e njëjta gjë, nga të njëjtët njerëz – të kemi një pluralitet podcastesh që janë të lira, të sinqerta dhe të këndshme, edhe kur bëhen në një garazh.

Podcastet ku flitet për çdo gjë do të jenë çlirimi nga diktati i televizioneve tradicionalë, siç po ndodh kudo në botë, duke nisur nga Amerika, ku një podcast i famshëm ndryshoi kursin e zgjedhjeve të fundit, gjatë të cilave televizionet provuan që nuk kishin pothuajse asnjë ndikim.

Në televizionet e sotme, për fat të keq, dalin vetëm të pasurit që u tregojnë të varfërve çfarë duhet të bëjnë, si duhet të vishen, si duhet të flasin dhe si duhet të jetojnë – duke blerë në dyqanet e tyre.

Kurse në një podcast mund të dalë edhe një i varfër që tregon sa e bukur është jeta edhe kur je me duar në xhep.

Prandaj, koha që jetojmë është fantastike; sepse kur mendoj se 30 vjet më parë, për të bërë një gazetë apo një televizion duheshin gjetur nja dhjetë zyra, shtatë kompjutera, pesë shoferë dhe tre roje, nuk arrij ta besoj me çfarë shpejtësie kanë ndryshuar kohët. Më duket sikur ka ndodhur një shekull më parë.

Sot çdo njeri që ka diçka për të thënë, mund të bëjë një podcast me një celular nga kuzhina ku vlon tenxherja e drekës dhe ku lavatriçja lëshon një zhurmë aq familjare për shumicën e njerëzve. Përderisa ka podcast nga garazhi, mund të ketë edhe nga kuzhina apo nga bodrumi.

Asnjë brez në historinë e botës nuk ka shijuar më shumë përparimet teknologjike, të cilat përveçse na e kanë bërë jetën më të thjeshtë, kanë marrë edhe një funksion tjetër.

Sot teknologjia është kthyer në garant të demokracisë, të cilën e mbron më mirë se ushtria, policia dhe partitë.

Një celular që kemi në dorë bën më shumë punë se dhjetë policë, dhe një podcast krijon më shumë mendim se një parti.

Uroj të më ndiqni sot në “Garazh Lock” në kanalin e YouTube me të njëjtin emër, me Renis Gjokën dhe Gent Bushpepën, të cilët – meqë ra fjala – harrova t’i pyes ç’dreqin patën që bënë një podcast.

Ndoshta i shtyu zhurma e dashur e lavatriçes, pra nevoja për të pastruar njollat e errëta të censurës mbi çarçafët e fjalës së lirë.

Lini një Përgjigje