Nga Mike Bloomberg te ish-CEO i Google, zbulohet lista e fshehtë e personazheve më të fuqishëm që mblidhen në pyjet e Kalifornisë për rituale misterioze. Fakti që ky klub 124-vjeçar ka tërhequr figura tejet të fuqishme përfshirë presidentët Richard Nixon dhe Ronald Reagan ka nxitur prej vitesh dyshime dhe spekulime rreth vendimeve globale që mund të merren në prapaskenë…
Në një kthesë dramatike ngjarjesh që ka tronditur qarqet më ekskluzive të Shteteve të Bashkuara është publikuar së fundmi një listë me mbi 2.000 anëtarë të “Bohemian Grove”, i cili është klubi legjendar dhe ultrasekret i meshkujve i vendosur në Qarkun Sonoma të Kalifornisë.
Me statusin e një enklave private prej afërsisht 1.052 hektarësh mes pyjeve të seku-ove gjigante, ai është i famshëm për takimet dyjavore verore dhe i rrethuar nga një aurë misteri, e cila ka mbetur e padepërtueshme për dekada të tëra.
Lista e publikuar nga gazetari i pavarur Daniel Boguslaw në platformën Substack Deeper States përfshin emra të profilit të lartë nga bota e politikës financave teknologjisë medias dhe argëtimit.
Ndër ata që përmenden në raportet fillestare të medias, janë ish-kryetarë bashkie, miliarderë të Silicon Valley donatorë të mëdhenj politikë gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, prezantues televizivë dhe personazhe të famshëm që përbëjnë kremin e elitës amerikane.
I themeluar në vitin 1872, klub “Bohemian Grove” është një vendpushim i mbyllur për elitën mashkullore amerikane me një klub qendror në San Francisko, dhe një pronë të gjerë pyjore në Monte Rio, e ndodhur rreth dy orë në veri të qytetit.
Motoja e klubit “Merimangat që endin nuk vijnë këtu”, shkëputur nga vepra “Ëndrra e një nate vere” e William Shakespeare, simbolizon detyrimin e anëtarëve për të lënë mënjanë interesat e biznesit dhe për t’u përqendruar te arti, teatri dhe muzika gjatë gjithë qëndrimit aty.
Çdo muaji korrik anëtarët mblidhen për dy javë duke marrë pjesë në ceremoni teatrale si “Djegia e shqetësimit”, që është një ritual simbolik i cili përfshin djegien e një kukulle përpara një statuje gjigante në formë bufi, që simbolizon shkrirjen e stresit dhe shqetësimeve të jetës së përditshme.
Klubi është i ndarë në të ashtuquajturat kampe të ngjashme me vëllazëritë studentore. Ato kanë emra sugjestivë si Mandalay Hill Billies ose Cave Man, dhe historikisht kanë tërhequr figura tejet të fuqishme përfshirë presidentët Richard Nixon dhe Ronald Reagan si dhe ish-Sekretarin e Shtetit Henry Kissinger.
Kjo ka nxitur prej vitesh dyshime dhe spekulime rreth vendimeve globale që mund të merren në prapaskenë. Revista e njohur amerikane “Mother Jones”, e përshkroi dikur këtë klub, si vendin ku burrat që mblidhen në heshtje marrin vendime që na prekin të gjithëve. Sepse është e vështirë të besohet që njerëz kaq të pushtetshëm, mund të qëndrojnë së bashku për dy javë pa diskutuar politikë apo transaksione të mëdha mbi koktejët e tyre. Dokumenti i zbuluar, nxjerr në pah një hartë të qartë të pushtetit ku ndër politikanët spikasin Paul Pelosi, Edwin Meese III, Bobby Inman, Carlos Bea, James A. Baker III dhe Edwin Feulner.
Ndërsa nga bota e biznesit renditen Charles Koch, Riley Bechtel, vëllezërit Fisher William Draper dhe Mike Bloomberg. Po ashtu në fushën e teknologjisë shfaqen Eric Schmidt, Brook H. Byers, Tim Draper dhe David Gifford Arscott.
Kurse si vizitorë të rregullt nga bota e artit dhe ligjit, përmenden Conan O’Brien, i ndjeri Jimmy Buffett, Ken Burns, aktori amerikan me origjinë shqiptare Jim Belushi, dhe gjyqtari Clarence Thomas.
Sipas një burimi të brendshëm për New York Post, rregullat e klubit janë shumë të rrepta. Telefonat celularë dhe kompjuterët janë rreptësisht të ndaluar, dhe kushdo që tenton t’i fusë pezullohet menjëherë. Sikurse nuk lejohet asnjë lloj lakuriqësie në ambientet e klubit.
Deri më tani zyra e shtypit të klubit apo anëtarët e lakuar, nuk kanë lëshuar asnjë deklaratë zyrtare. Dhe megjithëse lista e emrave tashmë është bërë publike, sekreti mbi atë që diskutohet realisht nën hijen e sekuo-ve mbetet po aq i padepërtueshëm sa më parë./Pamfleti nga “Inside Over”
Amund te hetohete elite