Forum 5 Mars 2023, 07:34

Vula e PD; dy goditjet fatale që mori Sali Berisha me 3 Mars

Shkruar nga Spartak Ngjela
Vula e PD; dy goditjet fatale që mori Sali Berisha me 3 Mars
Spartak Ngjela

Tani asgjë. Saliu nuk hyn dot në zgjedhje si PD me kandidatët që ai kërkon t'i nxjerrë fitues. Atëherë? Duhet të këtë ngjarje...

Gjykata e Apeli Tiranë në datën 3 mars 2023, respektoi ligjin dhe me këtë, e mbajti të paprekur drejtësinë, por njëherësh edhe historinë e politikës shqiptare, sepse ajo, në vendimin e saj, mbrojti të djathtën dhe shqiptarizmin.

I.

Këta janë të katër elementët që kërkoi të shkelmonte Sali Betisha në datën 3 mars 2023: ligjin, historinë e politikës shqiptare, të djathtën shqiptare dhe shqiptarizmin.

Prandaj na duhet të themi se, Gjykata e Apelit Tiranë, nuk e lejoi që Sali Berisha të niste rrjedhën antishqiptare në Partinë Demokratike dhe në të gjithë të djathtën shqiptare.

Dhe kjo nuk ka qenë një ndërmarrje krejt individuale e Sali Berishës. Kjo kuptohet se ishte një organizim që dilte nga Moska, shkonte në Beograd dhe vinte në Tiranë.

Donin ta shkëpusin të djathtën shqiptare nga shqiptarizmi. Prandaj sot shtypi rus ishte i trishtuar për këtë ngjarje, njëlloj si në vitin 2017 kur politika amerikane e forcës shkallmoi çadrën e Saliut që kishte në dispozicion të saj dhe 270 oficerë rusë.

II.

Po, a do ta bënte dot Saliu këtë ndërmarrje nëse do ta merrnin me dhunë të djathtën shqiptare?

Duhet të kuptohemi, të gjithë atë luftë që filloi me foltoren e Saliut, e mbante në lëvizje korrupsioni i lartë shqiptar. Ishin krerët e korrupsionit të lartë shtetëror që kërkuan të merrnin me çdo kusht të djathtën shqiptare për ta drejtuar Saliu.

Por, Saliu e kishte të djathtën dhe e la, tani pse bën gjithë këtë zhurmë për të rimarrë me dhunë atë që ka pasur dhe e ka lënë? Ai e la PD-në, sepse humbi zgjedhjet e vitit 2013?

Por, me anë të kësaj lëvizjeje që në 3 mars i doli e dështuar, Saliu donte të krijonte lëvizjen e tij politike djathtas, që, me forcën e të djathtës shqiptare t'i thosh Uashingtonit që ai t'ia hiqte dekretin nongrata që i ka vendosur.

Një mendim politik mediokër ishte ky, por kështu të katandis mendërisht gjithmonë një goditje amerikane që e ka akuzën për korrupsion brenda saj. Madje për të gjithë familjen Berisha.

Por, Saliu në fakt, në datën 3 mars, nuk mori një goditje, po dy të tilla: ai humbi përkrahjen popullore që u pa në një numër qesharak protestuesish; dhe nuk e mori dot Partinë Demokratike, sepse gjykata nuk ia pranoi kërkesën joligjore që kishte një vit që e ushqente në të gjithë Shqipërinë.

Po tani?

Tani asgjë. Saliu nuk hyn dot në zgjedhje si PD me kandidatët që ai kërkon t'i nxjerrë fitues.

Atëherë?

Duhet të këtë ngjarje. Të shohim...

 

3 marsi berisha vula e pd spartak ngjela